ZGJEDHJET 2013 – Shtohen KZAZ-të, Durrësi ndahet mes PD dhe PS

25 Shkurt, 2013 0
ZGJEDHJET 2013 – Shtohen KZAZ-të, Durrësi ndahet mes PD dhe PS

 

Në terrotorin e Qarkut të Durrësit do të funksionojnë shtatë zona të administrimit të zgjedhjeve, gjë që do të thotë se, në bazë të shortit të hedhur për drejtimin e tyre, katër do të kontrollohen nga Partia Socialiste dhe tre nga Partia Demokratike.

Në zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2009, Qarku i Durrësit kishte katër zona të administrimit të zgjedhjeve dhe njësitë vendore, bashkitë dhe komunat, ishin të grupuara në këto katër zona. Bashkia e Durrësit, për shkak të madhësisë së saj, përfaqësonte një zonë të vetme të administrimit të zgjedhjeve. Tani, pas shtimit të numrit të zonave të administrimit të zgjedhjeve, territori i Qarkut të Durrësit është i ndarë në shtatë të tilla. Në fakt, shtimi erdhi pikërisht për shkak të Bashkisë së Durrësit, për shkak të numrit të madh të zgjedhësve. Tani, territori i Bashkisë së Durrësit është i ndarë në tre zona të administrimti të zgjedhjeve. Bashkia e Durrësit ka përafërsisht 159 000 zgjedhës dhe një zonë e administrimit të zgjedhjeve do të ketë rreth 50 000 zgjedhës.

Vendimi për shtimin e numrit të zonave të administrimit të zgjedhjeve

I gjithë territori i vendit ndahet në zona të administrimit të zgjedhjeve, të cilat kanë nga një komision që kryen të gjitha proçedurat e nevojshme që lidhen proçesin zgjedhor. Por, ajo që në të kaluarën ka rezultuar pak me probleme ka qenë proçesi i numërimit të votave, i cili ka qenë i ngadalshë.

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, vendi kishte 66 zona të administrimit të zgjedhjeve që, automatikisht, do të thotë se ishin 66 vende të numërimit të votave. Për të përshpejtuar proçesin e numërimit të votave, me qëllim që i gjithë proçesi zgjedhor të zhvillohet më shpejt, më mirë e më rrjedhshëm, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mori në shqyrtim vendimin për shtimin e numrit të zonave të administrimit zgjedhor. Versioni i parë ishte që ky numër të bëhej 100, por shumica e cilësuar që kërkohet për marrjen e këtij vendimi nuk u arrit. Vendimarrja i kaloi Kolegjit Zgjedhor që, pas dëgjimit të mendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të forcave politike, vendosi që, përfundimisht, numri i zonave të administrimit të zgjedhjeve të jetë 89.

Kështu, duke qenë se sistemi zgjedhor që aktualisht përdoret është ai proporcional rajonal, ku rajoni është hapësira territoriale e një qarku, thuajse në çdo qark është shtuar numri i zonave të administrimit të zgjedhjeve.

Risitë teknike të zgjedhjeve të këtij viti

Përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të këtij viti kanë nisur shumë më herët se sa nisnin gjatë zgjedhjeve të kaluara. Kjo është pikërisht për faktin se ana proçeduriale dhe infrastruktura të mos prekë standartet e zgjedhjeve. Numri i qëndrave të votimit pritet të rezultojë më i madh se ai në të kaluarën, pasi nuk do të ketë më shumë se 1 000 zgjedhës për një qendër votimi. Në të njëjtën kohë, shtimi i numrit të zonave të administrimit të zgjedhjeve do të sjellë më shumë vende të numërimit të votave dhe proçes më të shpejtë të nxjerrjes përfundimtare të rezultateve.

Sa i përket Qarkut të Durrësit, numri i zonave të administrimit të zgjedhjeve është bërë shtatë, nga katër që ishte. Për shkak të shortit, fati e deshi që katër prej tyre të drejtohen nga Partia Socialiste, përkundrejt tre nga Partia Demokratike. Kjo ndarje preku edhe Bashkinë e Durrësit. Territori i Bashkisë së Durrësit do të ndahet në tre zona të administrimit të zgjedhjeve, ku dy do të drejtohen nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.

Si formohen komisionet e zonave të administrimit të zgjedhjeve

Komisionet e zonave të administrimit të zgjedhjeve zgjidhen në bazë të një formule të përcaktuar qartë në Kodin Zgjedhor, formulë e cila lidhet ngushtë me nivelin e përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Shqipërisë. Bazuar pikërisht në këtë formulë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e datës 7 janar, përcaktoi përbërjen e komisioneve të zonave të administrimit të zgjedhjeve. Këto komisione kanë shtatë anëtarë dhe përbërja realizohet sipas kësaj formule:

  • dy anëtarë të propozuar nga Partia Demokratike
  • dy anëtarë të propozuar nga Partia Socialiste
  • një anëtar i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim
  • një anëtar i propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Ndërkohë, me short, caktohet se cila nga dy partitë politike – partia kryesore e mazhorancës dhe partia kryesore e opozitës – do të ketë të drejtën të përfaqësohet me anëtarin e shtatë, gjë që sjell edhe drejtimin e një komisioni të zonës së administrimit zgjedhor. Në bazë të shortit, njëra prej partive fiton shumicën në komisionet me numër tek dhe tjetra në komisionet me numër çift.

Në bazë të shortit të hedhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, komisionet e zonave të administrimit zgjedhor me numër çift do të drejtohen nga Partia Demokratike dhe ato me numër tek do të drejtohen nga Partia Socialiste.

Qarku i Durrësit – Zonat e Administrimit të Zgjedhjeve

 

ZAZ 19

 

Bashkia Krujë

Bashkia Fushë Krujë

Komuna Bubq

Komuna Cudhi

Komuna Kodër Thumanë

Komuna Nikël

 

12 543 zgjedhës

18 064 zgjedhës

6 199 zgjedhës

2 245 zgjedhës

11 349 zgjedhës

6 943 zgjedhës

 

 

ZAZ 20

 

Bashkia Sukth

Komuna Ishëm

Komuna Katund i Ri

 

18 788 zgjedhës

6 187 zgjedhës

11 217 zgjedhës

 

 

ZAZ 21

 

Bashkia Manëz

Bashkia Shijak

Komuna Maminas

KomunaGjepalaj

 

8 119 zgjedhës

10 171 zgjedhës

5 473 zgjedhës

4 369 zgjedhës

 

 

ZAZ 22

 

Komuna Rashbull

Komuna Xhafzotaj

 

20 426 zgjedhës

12 894 zgjedhës

 

 

ZAZ 23

 

Bashkia Durrës Zona 1

 

49 920 zgjedhës

 

 

ZAZ 24

 

Bashkia Durrës Zona 2

 

52 901 zgjedhës

 

 

ZAZ 25

 

Bashkia Durrës Zona 3

 

50 284 zgjedhës

 

 

Lini një koment »