“Urdhëri Shqiponjës së Zezë”, dekorata e parë e shtetit shqiptar

27 Shtator, 2012 Komentet Off
“Urdhëri Shqiponjës së Zezë”, dekorata e parë e shtetit shqiptar

Urdhërat, medaljet dhe dekoratat, krahas monedhës dhe pullave postare, janë pjesë e simboleve dalluese të unitetit të një shteti, dhe Durrësi ka fatin, si kryeqytet i vendit, të jetë vendi ku u akorduan të parët urdhëra të shtetit të ri shqiptar. “Urdhëri Shqiponjës së Zezë” ishte i pari, dhe i vetmi, urdhër i akorduar nga princ Vidi. Në shtatë muajt që ai drejtoi shtetin e ri shqiptar, urdhëri është akorduar dhjetë herë, por një pjesë e përfituesve nuk njihen plotësisht. Megjithatë, këtë urdhër e kanë marrë Kol. Lodewijk W. J. K. Thomson (pas vdekjes), Prenk Bibë Doda, etj.

“Besë e Bashkim” për shtetin e ri shqiptar

Shqipëria e shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912, por si e tillë u njoh shumë më vonë. Në përfundim të luftërave ballkanike, Fuqitë e Mëdha – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia – vendosën që në Gadishullin e Ballkanit të krijohej një shtet shqiptar, i pavarur, por edhe neutral sa i përket aleancave me fqinjët. Statuti Organik i Shqipërisë, që ishte kushtetuta e parë e shtetit shqiptar, u hartua më 10 prill 1914, në Vlorë, nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (punimet e konferencës filluan më 16 dhjetor 1912 dhe zgjatën disa muaj, por vendimi për Shqipërinë u mor më 19 korrik 1913).

Më 6 shkurt 1914 në krye të shtetit të ri shqiptar u vu princ Vidi (Wilhelm Friedrich Heinrich Princ zu Wied), ndonëse fillimi i mbretërimit të tij njihet data 7 mars 1914, dita kur ai zbriti në Durrës, duke e bërë qytetin edhe kryeqendrën e vendit. Krahas përgatitjeve të tjera për ndërtimin e shtetit të ri, princ Vidi dekretoi edhe urdhërat, medaljet dhe dekoratat që do të përdoreshin. Princ Vidi dekretoi “Urdhërin e Shqiponjës së Zezë”, një urdhër që akordohej për merita të larta në dy kategori: civile dhe ushtarake. Ndërkohë, ai ishte i ndarë në katër klasa, ndonëse një emërtesë e tillë nuk ekzistonte në atë kohë: Kalorës i Kryqit të Madh, Komandant me Yll, Komandant dhe Kalorës. Pjesë e serisë së dekoratave të urdhërit ishte edhe “Medalja e Shqiponjës së Zezë”, që edhe ajo kishte tre klasa: e artë, e argjendtë dhe e bronxtë. Ndërkohë, në fund, e mbyllte “Medalja e Fronëzimit”, që ishte prej bronzi dhe ishte e treta në radhë për nga prestigji, pas “Urdhërit të Shqiponjës së Zezë” dhe “Medaljes së Shqiponjës së Zezë”. Në qendër të dekoratave ishte shqiponja e zezë, rreth së cilës ishte shkruar “Bese e Bashkim”, si edhe data 26 mars 1914, kur u dekretua krijimi i urdhërit.

Personat që janë dekoruar me këtë urdhër janë të paktë në numër, kjo edhe për faktin se mbretërimi de facto i princ Vidit zgjati vetëm për pak muaj. Sipas studimeve të kryera, vetëm dhjetë persona janë dekoruar me një urdhër të tillë, mas tyre edhe Kol. Lodewijk W. J. K. Thomson (pas vdekjes), Prenk Bibë Doda, etj.

7 mars 1914 – 11 shkurt 1920, Durrësi kryeqytet

Ndonëse për vetëm gjashtë vjet, pjesën më të madhe të të cilëve pa qeveri, Durrësi ishte kryeqyteti i vendit. Konaku i Durrësit, një ndërtesë e madhe trekatëshe me 35 dhoma, që kishte shërbyer si selia e prefektit gjatë kohës së sundimit osman, u shndërrua në pallatin mbretëror të princ Vidit. Shteti nisi të merrte formë: u formua qeveria, vendi kishte kufijtë e njohur, nisi të ngrihej ushtria dhe xhandarmëria. Fuqitë e Mëdha, për 10 vjet, do të mbikqyrnin shtetin e ri. Megjithatë, në Durrës kanë mbetur shumë pak gjurmë e dëshmi nga ajo kohë. Konaku i Durrësit, i cili u dëmtua nga tërmeti, u shkatërrua plotësisht në vitin 1930, ndërsa zhvillimet e mëvonshme zhdukën edhe shenjat e fundit.

Zyrtarisht, pas Kongresit të Lunshjës, princ Vidi nuk kishtë më shpresë rikthimi në fron, gjë që shënon edhe fundin zyrtar të ekzistencës së “Urdhërit të Shqiponjës së Zezë”, që ishte urdhëri i parë dhe i vetëm i princ Vidit, por edhe shumë jetëshkurtër, duke u bërë sot objekt për koleksionistët dhe ankandet e dekoratave të rralla.

Origjina e “Urdhërit të Shqiponjës së Zezë”

Shqiponja është simbol i yni kombëtar, por kjo ka pak lidhje me faktin që urdhëri kalorsiak i dekretuar nga princ Vidi mban emrin e shqiponjës. Sipas disa studimeve të të kryera në fushën e dekoratave akorduar ndër vite nga shteti shqiptar, mësohet se princ Vidi ishte konsultuar me një numër urdhërash kalorsiakë të kohës disa vendeve evropiane. Në këtë kohë, ai kishte mësuar se një urdhër me të njëjtin emër – Urdhëri i Shqiponjës së Zezë – kishte ekzistuar në Prusi në shek. XVIII. Ky urdhër ishte më i larti në Prusi dhe jepej nga perandori për merita të shquara civile e ushtarake dhe u akordohej anëtarëve të shtëpive mbretërore, zyrtarëve më të lartë civilë e ushtarakë dhe figurave të tjera emëruar prej tij.

Thuajse të njëjtën gjë bëri edhe princ Vidi. Urdhëri, pavarësisht se u frymëzua nga një urdhër gjerman, në formë dhe përmbajtje kishte elementë të karakterit kombëtar shqiptar. Shqiponja e zezë është vendosur mbi një fushë të kuqe dhe përreth janë shkruar fjalët “Besë e Bashkim”, duke evokuar dy prerogativa të kohës për kombin. Në fakt, edhe Ahmet Zogu, pak vite me vonë dekretoi “Urdhërin e Besës”, që ishte ishte urdhëri më i veçantë që akordohej në ato vite, duke ruajtur rëndësinë dhe nevojën e besës.

Comments are closed.