Rajoni i Durrësit, qendër e zhvillimit industrial të vendit

17 Shtator, 2012 0
Rajoni i Durrësit, qendër e zhvillimit industrial të vendit

Këshilli i Ministriave miraton ndërtimin e një tjetër parku industrial në zonën e Manskurisë, që i shtohet parkut industrial të Spitallës, në Durrës, duke e bërë kështu rajonin një qendër të zhvillimit industrial të vendit

Para pak kohësh, Këshilli i Ministrave, miratoi shpalljen zonë ekonomike për park industrial të një sipërfaqe prej 16,5 hektarë në territorin e Komunës së Rashbullit. Një vendim i tillë u mundësua nga plotësimi i kuadrit ligjor, që qeveria ka ndërmarrë vitet, përmes miratimit të ligjit nr. 9789, datë 19.07.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, dhe të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006, “Për konçesionet”. Parku industrial i Rrashbullit, që do të ndërtohet në zonën e Manskurisë, do të shërbejë për zhvillimin e veprimtarive prodhuese industriale, tregtare, të eksport-importit, dhe të veprimtarive të tjera ndihmëse. Parku do të ngrihet përmes një investimi privat, i cili do ta administrojë atë për një periudhë 35-vjeçare.

Parku industrial i Rrashbullit është i dyti në rajonin e Durrësit, pas parkut industrial të Spitallës, krijuar në Shkurt 2008, në një sipërfaqe prej rreth 850 hektarë. Ndërkohë, po në rajonin e Durrësit është miratuar edhe ndërtimi i parkut energjitik të Porto Romanos, në një sipërfaqe prej afro 810 hektarë. Në fakt, funksionimi i parkut energjitik është nëj fazë shumë më të avancuar se sa dy stabilimentet e tjera.

Durrësi, nyje transporti që favorizon zhvillimin

Kompania amerikane Louis Berger Int. Inc., gjatë viteve 2000 – 2004, ka realizuar një seri studimesh në vendin tonë dhe për gjithë rajonin e Gadishullit të Ballkanit. E prokuruar nga Banka Botërore, kjo kompani ka realizuar planin e përdorimit të tokës të Portit të Durrësit, planin e zhvillimit të magazinave doganore për të asistuar në zhvillimin e tregtisë dhe lëvizjen e mallrave, studimin e një domosdoshmërisë të ndërtimit të një rrjeti modern infrastrukture rrugore në gjithë rajonin e Ballkanit, etj.

Në bazë të studimeve të kryera nga kjo kompani amerikane, territori i gjithë vendit është ndarë në tri rajone, bazuar në potencialin për zhvillim që ato kanë: rajoni lindor rural i vendit ka potencial të ulët zhvillimi, ultësira perëndimore ka potencial të mesëm zhvillimi, ndërsa rajoni Durrës – Tiranë shikohet si një pjesa e vendit me potencialin më të lartë të zhvillimit. Arsyet e identifikuara janë shumëplanëshe, por kryesore mbeten pozicioni strategjik i rajonit dhe burimet e mjaftueshme njerëzore.

Nisur nga ky këndvështrim, Durrësi është bërë deri tani “shtëpia” e tre zonave ekonomike: parku industrial i Spitallës, parku industrial i Manskurisë, dhe parku energjitik i Porto Romanos. Një studim i kryer nga Agjencia për Bashkëpunim Teknik (GTZ) e Gjermanisë, i cili është fokusuar edhe në promovimin e parkut industrial të Spitallës për të thithur investitorë, identifikon edhe rëndësinë e pozicionit strategjik të Durrësit, që është pranë portit më të madh të vendit, vetëm 30 kilometra larg aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, ka një infrastrukturë të favorshme rrugore dhe hekurudhore, etj.

Ndërkohë, raporti më i fundit i Konferencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Tragtinë dhe Zhvillimit (UNCTAD) e sheh me shumë optimizëm të ardhmen e Shqipërisë, duke identifikuar pikërisht zhvillimin industrial të deritanishëm dhe prirjet për të ardhmen. Raporti thekson se në Shqipëri u rritën në mënyrë shumë të ndjeshme eksportet. Ky fakt dëshmon për shtim të investimeve, përfshi këtu edhe investimet e huaja. Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2006 investimet e huaja ishin rreth 258 milionë euro, ndërkohë që në vitin e fundit ato arritën në mbi 700 milionë euro. Raporti i UNCTAD e vendos Shqipërinë në vendin e 25, një rritje e ndjeshme nga vendi i 80 që ishte para pesë vitesh.

Qeveria, investime për realizimin e parqeve industriale

Që prej vitit 2008, kur u vendos krijimi i parkut industrial të Spitallës, së bashku me parkun energjitik të Porto Romanos, në Durrës, qeveria ka akorduar fonde të vazhdueshme për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme. Investimi i parë në atë kohë ishte ngritja e rrjetit shpërdarës 20kv të energjisë elektrike dhe e tre kabinave të nevojshme, me një fond të përgjithshëm prej rreth 103 milionë lekë. Njëkohësisht, përgjatë viteve 2008, 2009 dhe 2010 u akorduan edhe mbi 2,3 miliardë lekë për ndërtimin e disa segmenteve rrugore: rruga drejt parkut energjitik në Porto Romano dhe rruga e re drejt parkut industrial që e lidh atë më autostradën Durrës – Tiranë.

Parku industrial i Durrësit është relativisht i madh, gjë që e bën të novojshëm afrimin e një investitori strategjik për realizimin e tij. Sipas studimit të GTZ, parku do të mund të realizohet i plotë në tre faza, ndërkohë vetëm faza e parë, me sipërfaqe prej rreth 106 hektarë kërkon një investim prej rreth 13,7 milionë euro.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjititkës, për realizimin me konçesion të fazës së parë të parkut industrial të Durrësit janë ofruar rreth 20 kompani të ndryshme të huaja. Në këtë drejtim, pritet që dita për fillimin e realizimit të këtij parku të jetë e afërt.

Ndërkohë, parku industrial i Manskurisë do të mund të jetë gati edhe më shpejt. Pranë Komunës së Rrashbullit mësohet se “parku industrial do të jetë një mundësi e mirë për zhvillimin e industrisë përpunuese agro-blegtorale.” Sipas Hysen Gashit, kryetari i Komunës së Rrashbullit, në rajonin bujqësor pranë Durrësit, që përfshin jo vetëm Komunën e Rrashbullit, por edhe më gjërë, “janë kryer investime serioze në fushën agro-biznesit.” Por, parku industrial do të mund të ofrojë edhe investime të huaja, aq të nevojshme për incentivimin e zhvillimit dhe rritjen e prodhimit bujqësor të të gjithë zonës.

Realizimi i parqeve industriale është bërë tashmë një realitet i prekshëm, pasi prej disa vitesh është duke u punuar për ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse, aq të nevojshme për funksionimin e tyre. Rrugët, uji, kanalizimet, energjia elektrike, kuadri ligjor kombëtar e ndërkombëtar, incentivat e tjera në taksa e tatime më të ulëta, etj., janë zhvillime që afruan ditën e parqeve industriale. Këtë vit, përfundon edhe studimi i fizibilitetit për gjithë rrjetin hekurudhor të vendit, së bashku me projektin e zbatimit të rehabilitimit të segmentit Durrës – Tiranë. Në plan janë edhe ndërtimi i degëzimeve hekurudhore për në parkun industrial.

Parku industrial i Durrësit, sipas të gjitha parashikimeve, do të mund të punësojë afro 40 mijë njerëz, ndërkohë që, në mënyrë të tërthortë, pritet të kontribojë edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë së vendit. Parku industrial i Manskurisë, ndonëse i vogël krahasuar me atë të Durrësit, që është parashuikuar të jetë ndër më të mëdhenjtë në gjithë rajonin e Ballkanit, do të shërbejë si një start drejt zhvillimit industrial të vendit.

Çfarë është një park industrial?

Një park industrial është një grup objektesh industriale, të planifikuara dhe të integruara në një hapësirë, ku zakonisht vendosen biznese që merren me të njëjtën lloj veprimtarie: industri të lehtë, industri prodhuese, etj. Por, parku industrial përfshin edhe mbështetjen e organizuar nga institucionet shtetërore, private apo individë.

Parqet industriale mund të jenë të madhësive të ndryshme, prej atyre të vogla me disa hektarë deri te ato me qindra hektarë. Proçesi i planifikimit, projektimit, zhvillimit dhe menaxhimit të parqeve industriale bëhet në mënyrë të integruar dhe koordinuar. Aty  mund të vendosen depo dhe hapësira për shpërndarje, veprimtari prodhuese ose montuese, hapësira zyra, salla për ekspozita apo konferenca, etj.

Në parim, e gjithë kjo strukturë ndërtohet nga një subjekt i vetëm, qoftë ky publik ose privat, ose edhe në bashkëpunim. Më pas, përkundrejt qerasë, bizneset e ndryshme, që kanë përgjithësisht veprimtari të ngjashme, vendosen në këto parqe industriale. Historiku i tyre nis në vitet ’50-të në vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku industri të njëjta u grumbulluan në një vend të vetëm për të shfrytëzuar shërbimet e përbashkëta. Por, suksesin e vërtetë ato e patën në vendet në zhvillim, si një mënyrë e shtetit për të ndihmuar zhvillimin e industrisë.

Në Shqipëri, me konçesion

Praktika e ndjekur deri tani nga qeveria shqiptare në krijimin e parqeve industriale ka qenë bashkëpunimi me vetë komunitetin e biznesit. Pas identifikimit dhe caktimit të vendit të ndërtimit të parkut industrial, ndërtimi i tij i jepet me konçesion një subjekti privat. Ky i fundit, për të marrë mbrapsht investimin e bërë, e administron vetë parkun industrial për një periudhë 35-vjeçare.

Në të gjithë vendin janë parashikuar të ndërtohen gjashtë parqe industriale, tre nga të cilët janë të rajonin e Durrësit. Parku industrial i Manskurisë, për shkak edhe të sipërfaqes më të vogël, i kaloi shpejt proçedurat administrative dhe tani ka hyrë në fazën e konkretizimit. Ndërkohë, për parkun industrial të Spitallës, ofertat e ardhura janë ende duke u shqyrtuar.

Dhoma e Tregtisë së Durrësit: Rajoni ynë do të thithë investime të huaja

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit i sheh parqet industriale si një mënyrë për të tërhequr investime të huaja, por edhe për të krijuar sipërmarrje joint-venture me biznesin vendas. “Durrësi ka portin më të madh të vendit, nga ku kryhet mbi 80 përqind e të gjitha shkëmbimeve tregtare me det të vendit tonë, – thotë Andrea Xhavara, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit. – Ndërkohë, Durrësi është vetëm 200 kilometra larg Shkupit, rreth 230 kilometra larg Prishtinës, dhe lehtësisht i arritshëm nga të gjitha portet italiane.”

Sipas një studimi të bërë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Durrësit, me qëllim nxitjen e investimeve të huaja në rajon, faktorët që ndikojnë në potencialin e zhvillimit të rajonit, krahas pozicionit të rëndësishëm strategjik, janë edhe politikat nxitëse të qeverisë: taksa e sheshtë prej 10 përqind mbi fitimin, niveli i ulët kontributeve për Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Një tjetër incentivë për biznesin e huaj janë si marrëveshjet që vendi ynë ka me thuajse të gjitha vendet evropiane për shmangien e taksimit të dyfishtë, ashtu edhe pjesëmarrja në marrëveshjet rajonale të tregtisë së lirë.

Leave A Response »