Pas 1 nëntorit, pronarëve u kthehen shtëpitë

20 Shtator, 2012 Komentet Off
Pas 1 nëntorit, pronarëve u kthehen shtëpitë

Olldashi: Secili do të shkojë në shtëpinë e vet, mazhoranca do të vendosë drejtësisë në vend

Enti Kombëtar i Banesave, Durrës: Ne kemi marrë të gjitha masat që ky proçes të mbyllet normalisht, duke dhënë ndihmën e nevojshme për të gjitha palët. Pas 1 nëntorit, shtëpitë e pronarëve do të lirohen edhe me urdhër ekzekutiv, ndërkohë që të pastrehëve janë duke iu ofruar të gjitha zgjidhjet e mundshme

Pas 1 nëntorit, rreth 1 000 shtëpi do t’u kthehen pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, duke i dhënë kështu zgjidhje përfundimtare një pjese të problemit të kthimit dhe kompensimit të pronës, por edhe duke vënë në vend drejtësinë e vonuar. Kjo u mundësua nga aplikimi i aktit normativ nr. 3, datë 1 mars 2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara” të Këshillit të Ministrave. Ky akt ligjor ngarkon Entin Kombëtar të Banesave për ndjekjen e gjithë proçedurave të nevojshme. Enkeleda Basha, drejtore e Entit Kombëtar të Banesave në Durrës, thotë se “që prej hyrjes në fuqi të aktit normativ të Këshillit të Ministrave, ne kemi marrë të gjitha masat që ky proçes të mbyllet normalisht, duke dhënë ndihmën e nevojshme për të gjitha palët.”

Zbatimi i aktit normativ të Këshillit të Ministrave nga njëra u jep edhe de facto shtëpitë pronarëve të tyre, por edhe nxjerr prej tyre familje që banonin aty pasi, ligjërisht, ishin të pastreha. Në këto kushte, kuadri ligjor e ka shtrirë ndikimin e tij tek të dy këto kategori, duke ofruar zgjidhje të pranueshme dhe të përhershme.

Si do të proçedohet për lirimin e banesave të pronarëve

Strehimi i familjeve të pastreha që banojnë aktualisht në shtëpitë e pronarëve konsiderohet një zgjidhje e domosdoshme para se ajo shtëpi t’i kthehet pronarit të ligjshëm. “Askush nga familjet e pastreha që aktualisht banojnë në shtëpitë e pronave nuk do të nxirret në rrugë të madhe, – thotë Enkeleda Basha, drejtore e Entit Kombëtar të Banesave në Durrës. – Ato familje, në një formë apo tjetër, do të strehohen.”

Strehimi i tyre do të arrihet kryesisht përmes dy rrugëve: ofrimi i një kredie të butë ose strehimi në banesa sociale. Në fakt, këto zgjidhje burojnë nga ligji nr. 9232, datë 15 maj 2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” dhe nga një sërë vendimesh qeveria që janë nxjerrë në zbatim të tij.

Vitet e fundit, kreditimi i të pastrehëve, deri në 80 përqind të vlerës së shtëpisë që duan të blejnë, është konsideruar një zgjidhje e shpejtë dhe efektive. Buxheti i shtetit ka disa vite tashmë që alokon fonde të konsiderueshme në këtë drejtim. Madje, përmes konkursit, ka përcaktuar edhe një nga bankat e nivelit të dytë për të kryer proçedurat e nevojshme. Edhe sipas Bashës, “kreditimi i të pastrehëve është një nga zgjidhjet më të mira.” “Kredia që ofrohet ka kushte shumë lehtësuese, – sqaron Basha. – Kredia mbulon deri në 80 përqind të vlerës së shtëpisë që kërkohet të blihet, është me interes zero, dhe ka një afat shlyerje pre 30 vjetësh. Për këto arsye, kjo lloj kredie është alternativa më e mirë.”

Duke iu kthyer aktit normativ të qeverisë që saksionon lirimin e shtëpive të pronarëve nga qytetarët e pastrehë që aktualisht banojnë në to, Enti Kombëtar i Banesave është bërë iniciatori i aplikimit të atyre familjeve për një kredi të tillë të butë. “Që nga momenti kur akti normativ i Këshillit të Ministrave hyri në fuqi, ne hartuam listën e gjithë familjeve të pastreha që banojnë në shtëpi të pronarëve të shpronësuar, – shpjegon Basha. – Në Durrës janë rreth 1 000 familje të tilla. Lista me emrat e tyre është miratuar dhe i është dërguar bankës së nivelit të dytë të përzgjedhur për përpunimin e kërkesave për kredi.”

Në fakt, në këtë pikë akti normativ përcakton detyrueshmërinë e kreditimit. Të gjitha familjet e pastreha që banojnë në shtëpitë e pronarëve, brenda datës 1 nëntor, duhet të plotësojnë dokumentacionin e duhur për ta përfituar atë kredi. Pranë Entit Kombëtar të Banesave mësohet se ky dokumentacion përfshin: çertifikatë të gjendjes familjare të vitit 1992 dhe aktuale, vërtetim nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron pronë e regjistruar apo në proçes regjistrimi, vërtetim që asnjë anëtar i familjes nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, vërtetim i statusit të të pastrehut në ish-pronë private, dhe adresën e banesës me emrin e pronarit të ligjshëm. Ky dokumentacion duhet të dorëzohet pranë Bankës Kombëtare Tregtare, bankë e cila ka tashmë të gjithë emrat e personave. “Lista me afro 1 000 emra, që i përkasin Durrësit, është miratuar dhe i është dërguar bankës së caktuar, – thotë Basha, – dhe tani duhet që familjet e pastreha të shkojnë pranë bankës e të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar.” Marrja e kredisë bën që ata të blejnë shtëpinë e tyre dhe të lirojnë shtëpinë e pronarit ku banonin.

Ndërkohë, për ato familje që, për arsye të ndryshme, nuk mund ta përfitojnë kredinë, do të aplikohet strehimi në banesa sociale. Megjithatë, mësohet se ky numër është fare i papërfillshëm. Në të gjithë Durrësin, ndër 1 000 familje që banojnë në shtëpitë e pronarëve, vetëm dy ose tre mund të mos e përfitojnë kredinë. “Ju e dini, bankat kanë kushtet e veta për miratimin e kredisë dhe kemi dy-tre raste familjesh ku anëtarët janë në moshë të vjetër e nuk kanë fëmijë, – sqaron Basha. – Ne e dimë që ata edhe mund të mos e përfitojnë kredinë, pasi bankat kërkojnë garanci të arsyeshme për kthimin e kredisë.” Për këto raste do të bashkëpunohet me Bashkinë e Durrësit dhe me Këshillin Bashkiak që ato familje të strehohen në banesa sociale. Kjo pasi është vetë akti normativ i qeverisë që detyron bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, përfshirë këtu edhe pushtetin vendor. “Akti normativ i Këshillit të Ministrave detyron që edhe njësitë vendore të bashkëpunojnë në këtë drejtim, – thotë Basha. – Për më tepër që ato njësi që do të preken nga ky problem do të përfitojnë finde shtesë nga bushetit i shtetit për ndërtimin e banesave të tjera sociale. Në këtë kuptim, edhe Bashkia e Durrësit do të përfitojë fonde të tilla.”

Pas 1 nëntorit, nis lirimi i banesave të pronarëve

Pranë Entit Kombëtar të Banesave në Durrës mësohet se kuadri ligjor është i tillë që miratimin e kredisë për strehim e konsideron urdhër ekzekutimi për lirimin e banesës së pronarit. “Listat me emrat e personave që janë dërguar pranë bankës së caktuar për të marrë kredinë janë bërë publike dhe ky veprim bart edhe detyrimin ligjor për të vepruar sipas rastit, – thotë Enkeleda Basha, drejtore e Entit Kombëtar të Banesave në Durrës. – Kjo do të thotë që miratimi i kredisë është automatikisht edhe urdhër ekzekutimi për të liruar shtëpinë.”

Mësohet se pas datës 1 nëntor, pronari i ligjshëm i shtëpisë mund të shkojë pranë Entit Kombëtar të Banesave dhe të ankohet nëse shtëpia ende nuk i është liruar. Në këtë rast, vetë punonjësit e Entit Kombëtar të Banesave, brenda dy ditësh, njoftojnë familjen që banon në shtëpinë pronë të pronarëve të shpronësuar se u është miratuar kredia e strehimit, gjë që shërben edhe si urdhër për nxjerrjen e tyre nga ajo banesë. Ndërkohë, për një numër të kufizuar të tyre që nuk kanë mundësi të përfitojnë kredinë, strehimi i tyre alternativ në banesë sociale do të thotë lirim i detyrueshëm i shtëpisë.

Pronarët, Olldashi: Secili do të shkojë në shtëpinë e vet

Mazhoranca do të vendosë drejtësisë në vend … ka raste skandaloze abuzimi, nuk dua të përmend emra, ka biznesmenë të njohur me godina të tëra në Tiranë që figurojnë të pastrehë në shtëpi ish-pronarësh

Para disa ditësh, Kuvendi i Shqipërisë miratoi aktin normativ të qeverisë për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Ministri i punëve publike dhe transportit Sokol Olldashi, duke diskutuar gjatë seancës parlamentare, duke theksuar të drejtën e pronarëve për të gëzuar shtëpitë e tyre, tha se “secili do të shkojë në shtëpinë e vet, mazhoranca do të vendosë drejtësisë në vend.” “Kemi të bëjmë me një stok rreth 3 200 banesa, – sqaroi Olldashi. – Kemi vënë në dispozicion të qytetarëve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve kredi me interes zero për 30 vjet për të bërë të mundur lirimin e banesave.”

Por, ministri Olldashi është ndalet edhe në rastet e abuzimit ndaj pronarëve. “Ka raste skandaloze abuzimi, nuk dua të përmend emra, ka biznesmenë të njohur me godina të tëra në Tiranë që figurojnë të pastrehë në shtëpi ish-pronarësh, – tha Olldashi. – Persona të vetëm kanë zënë shtatë apo më shumë dhoma të tëra që nuk pranojnë t’i dorëzojnë. Ka persona të tjerë me prona të mëdha. Kontingjenti i spekulantëve është shumë i madh.

Për ministrin Olldashi, ky akt është fundi i një reforme të nisur më parë. Sipas tij, akti bëhet i nevojshëm, pasi shumë nga këto familje që jetojnë në shtëpitë me pronarë nuk kanë shfrytëzuar të drejtën për të marrë kredi. Madje, ai ka theksuar se “është fakt tashmë se nga rreth 700 familje që kanë aplikuar për kredi me interes zero vetëm 200 prej tyre kanë shkuar ta tërheqin atë.”

Myshketa: Zgjidhja është e balancuar dhe e pranueshme për të dy palët

Qyteti i Durrësit është ndër më të prekurit nga problematika që u trashëgua nga regjimi komunist, kohë kur një pjese të njerëzve iu shtetëzua prona private, përfshirë këtu edhe shtëpitë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, në të gjithë vendin janë rreth 3 600 shtëpi të tilla, pasi ky është numri i familjeve të pastreha që banojnë në shtëpi pronë e pronarëve të shpronësuar. Në këtë numër të përgjithshëm, rreth 1 000 i përkasin vetëm qytetit të Durrësit. Enkelda Basha, drejtore e Entit Kombëtar të Banesave në Durrës, thotë se “Durrësi ka një pjesë të mirë të këtyre shtëpive dhe kuptohet që edhe problemi është më i ndjeshëm sepse po aq është numri i familjeve të pastreha.” “Por, deri tani ne kemi patur bashkëpunimin si të pronarëve, ashtu edhe të familjeve që banojnë në shtëpitë e tyre, – shton Basha. – Deri tani, proçesi ka ecur mjaft mirë dhe shpresojmë që kështu edhe të mbyllet.”

Sa i përket pronarëve të shpronësuar, ka prej tyre që kanë patur një shtëpi të vetme, ndërkohë që ka edhe nga ata që kanë patur në pronësi pallate të tëra. Familje të tilla janë të njohura në qytet, si: familjet Papaj, Myshketa, Haveriku, Dovana, etj. Një prej trashëgimtarëve të familjes Myshketa është edhe Redi Myshketa, sot pedagog pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ndonëse pronarët e shpronësuar, ligjërisht, i kanë marrë shtëpitë në pronësi të tyre që në fillim të viteve ’90-të, de facto ata kurrë nuk i morën dot në zotërim pasi shteti kishte detyrimin që, më parë, t’i gjente strehim familjeve që ishin vendosur në ato shtëpi që para vitit 1991. E megjithatë, Redi Myshketa thekson se “një nga pikat më të rëndësishme të zgjidhjes që është ofruar është balancimi mes nevojës dhe të drejtës së pronarëve për t’i marrë zotërim shtëpitë e tyre dhe zgjidhjes së problemit të familjeve që do të dalin jashtë.” “Unë jam i mendimit se zgjidhja e ofruar është shumë e drejtë, – thotë Myshketa. – Ato familje do të mund të marrin kredi të buta që i garanton shteti dhe do ta zgjidhin problemin e tyre të strehimit. Kujtoni fillimin e viteve ’90-të, kur shteti ua shiti shtëpitë shtetërore familjeve që banonin në to dhe, nëse merrni në konsideratë ndryshimeet që kanë ndodhur në vlerën e lekut, në nivelin e pagave, dhe çmimin e banesave, zgjidhja që është duke iu ofruar sot familjeve të pastreha është e njëjtë. Pra, nuk ka kurrfarë problemi, zgjidhja është shumë e balancuar.”

Ndërkohë, kënaqësia e të pasurit të pronës tënde në zotërim është një ndjenjë që të krijon sadisfaksion. “Kjo zgjidhje që ofroi qeveria u jep shtëpitë pronarëve legjitim, ua jep atyre, duke vendosur në vend një të drejtë që iu mohua,” – shton Myshketa.

Që prej fillimit të viteve ’90-të, për arsye nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe atë më kryesoren: pamundësinë ekonomike-financiare të shtetit për të paguar njëherazi faturën e kthimit, ose të kompensimit të pronave të shpronësuara, kthimi i pronave është duke u zgjidhur pak ngadalë. Por, pavarësisht kësaj, pronarët e shpronësuar janë treguar dhe tregohen të urtë e të duruar, janë të ndërgjegjshëm për atë çka të tjetër u kanë borxh, por përsëri tregohen bashkëpunues. Dhe, pikërisht kjo është arsye e mjaftueshme që kësaj shtrese, që vuajti aq shumë gjatë viteve të regjimit komunist, t’i jepet mundësia për të shpresuar për më mirë.

Comments are closed.