Paketa Fiskale 2014, taksë më e lartë për biznesin e vogël

Gazeta e Durresit 2 Dhjetor, 2013 0
Paketa Fiskale 2014, taksë më e lartë për biznesin e vogël

Teliti: Dako “harron” premtimet e Ramës

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar sot paketën Fiskale për vitin 2014 me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit.Ndonëse përgëzuan sjelljen në kohë të kësaj pakete për miratim, ndryshe me sa ka ndodhur vitet e tjera, të djathtët debatuan mbi përmbajtjen e saj.

Armand Teliti , këshilltari i PD në Këshillin Bashkiak, akuzoi Bashkinë se ka rritur nivelin e taksës për bizneset e vogla, deri në masën 30%, në kundërshtim me atë se çfarë thotë ligji, i cili ka përcaktuar se tarifat vendore nuk duhet të kalojnë më shumë se 10% të nivelit nominal të taksës duke u bërë kështu mbrojtje për biznesin e vogël.

Sipas tij, Bashkia e Durrësit ka rritur e nivelin e taksës me 30% (maksimumi i lejuar nga ligji) për biznesin e vogël prodhues, duke goditur kështu një biznes nevojtar.

Këshilltari i PD, vuri në dukje kundërshtinë mes premtimeve elektorale të kryeministrit rama, i cili ka premtuar heqje të taksave për bizneset e vogla dhe vendimeve të kryebashkiakut Dako, i cili përmes Paketës Fiskale të 2014, me sa duket, i takson më shumë këto sipërmarrje të vogla.

“Bashkia e Durrësit paraqet këtë paketë fiskale me rritje të konsiderueshme taksash në kundërshtim të plotë me çfarë është deklaruar në fushatë dhe kryetari i Bashkisë Durrës është anetar i Kryesisë së Partisë Socialiste, forumi ku mendohet se është marrë vendimi për heqjen e këtyre taksave.Ka dy supozime: ose Kryeministri ka gënjyer, ose zoti Dako nuk ka qenë dakord  me heqjen e taksave dhe zoti Rama e ka bëre me kokën e vet”, tha Teliti, duke theksuar senë të dyja rastet, është biznesi i vogël që paguan faturën.

Duke iu kundërpërgjigjur, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako shpjegoi ndryshimet e paraqitura në paketën fiskale për 2014, duke theksuar se premtimi elektoral do të mbahet për të gjithë biznesin e vogël dhe do të behëj një rishikim i vendimit të rritjes deri në 30% të nivelit të taksës.

Me tej, duke rikujtuar situatën për miratimin e Paketës Fiskale të  vitit 2012, Teliti, këshilltari i PD në këshill, tha se paketa e 2014, është bazuar në rekomandimet që PD bëri dy vite më parë dhe kjo, duke treguar kështu se propozimet e këshilltarëve të djathtë aokohë, ishin me vend dhe në mbrojtje të biznesit e qytetarëve.

“Pas propozimit të paketës fiskale të vitit 2012, tërësisht në shkelje të ligjit, pas mbledhjes së taksave me shumë nga çfarë parashikonte ligji për vitin 2013, Bashkia e Durrësit dëgjoi zërin e arsyes, të proklamuar fuqimisht nga opozita dhe paketën fiskale të vitit 2014 e ka futur pjesërisht në hullinë ligjore, duke bërë kështu të vetmen gjë që e duhet të bejë një administratë shtetërore, të zbatoje ligjin.

Propozimi i kësaj pakete fiskale në zbatim të ligjit është prova më e qartë që pretendimet e opozitës për paketen fiskale të vitit 2013 ishin të drejta, nuk ishin politike por ishin ligjore, nuk ishin për të penguar punën, por ishin për të qenë të drejtë e të ndershëm me biznesin dhe qytetarët”, tha Teliti.

Ndër të tjera, në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak u miratua dorëheqja e një këshilltarje të PD, Anila Velja dhe zëvendësimi i saj nga Pëllumb Berisha, si edhe u vendos të quhej sheshi “Selanik”, sheshi përpara stacionit të trenit, duke qenë se dy qytetet firmosën marrëveshjen e binjakëzimit mes njëri-tjetrit dhe vetëm pak muaj më parë, në Selanik, u inagurua sheshi “Durrësi”.

 Sqarim: Fotografia kryesore eshte ilustruese nga mbledhjet e meparshme te Keshillit Bashkiak te Durresit.

Lini një koment »