Monografia – “Historiku i spitaleve të Durrësit”, “biografia” e shkruar nga Dr. Bashkim Habibi

10 Dhjetor, 2012 0
Monografia – “Historiku i spitaleve të Durrësit”, “biografia” e shkruar nga Dr. Bashkim Habibi

Botimi i monografisë “Historiku i spitaleve të Durrësit”, shkruar nga dr. Bashkim Habibi, përbën një ngjarje me rëndësi për qytetin tonë. Një libër dinjitoz, me afro 500 faqe, më shumë se 1 500 foto dhe dokumenta nga historia e mjekësisë, sistemi shëndetësor dhe, mbi të gjitha, nga jeta e “personazheve” që i dhanë jetë dhe shëndet njerëzve.

“Hartimi i këtij vëllimi nisi si një nevojë e institucionit të spitalit rajonal të Durrësit për të njohur të shkuarën e njërit prej sektorëve të rëndësishëm në përditshmërinë e jetës qytetare,” – thotë për “Gazetën e Durrësit” dr. Bashkim Habibi, tashmë që libri i tij ka filluar të marrë përshëndetjet dhe urimet e familjarëve dhe protagonistëve të “Historikut…”. “Ishte e domosdoshme, pasi njëlloj si për një familje, njohja e rrënjëve përbën një detyrim të brezave, edhe për institucionin ku vazhdojnë të punojnë qindra mjekë, infermierë dhe personel tjetër. Historia e kësaj veprimtarie është pikërisht historia, fatkeqsisht e pashkruar deri më sot,” – vijon dr. Bashkimi.

Tre vjet më parë, drejtoria e spitaleve dhe dr. Tauland Baku, drejtor i spitalit rajonal, kanë hedhur hapin e parë për nismën e përpilimit të historikut, një ndërmarrje prej të cilën flitej prej vitesh, por që kishte mbetur ende e pakonkretizuar. Ishte viti 2009, po afronte viti i 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe dokumentimi shekullor i punës së spitalit rajonal do të ishte “qershia mbi tortë” për institucionin, që gjatë kësaj periudhe ka hedhur mjaft hapa pozitivë në fushën profesionale.

Por pas kësaj, çdo gjë mbeti mbi shpatullat e dr. Bashkim Habibit.

“Kur mora përsipër të shkruaj historinë e spitaleve të Durrësit nuk e kisha të qartë se çfarë  dhe si do ta bëja. Filimisht mendoja vetëm për durimin dhe mundimin që do të më duhet të përballoja, bile më lindi dhe një farë dyshimi nëse do të isha në gjëndje ta realizoja qëllimin që i kisha vënë vehtes”. Kështu shkruan në hyrje të “biografisë spitalore” autori.

Me profesion mjek ortoped dhe kirurg dhe me një karrierë të gjatë në këtë fushë, dr. Bashkim Habibi ka sjellë në monografinë e hartuar prej tij një pasqyrë të plotë, tepër të gjallë dhe të drejtpërdrejtë të fillimeve, të jetës më shumë se njëshekullore dhe kontributeve të dhjetra mjekëve, ndihmësmjekëve, infermierëve, mamive dhe të personelit mbështetës dhe administratës, që përbën vlera, jo pak të harruara në rrjedhat e kohës. Afro 350 zëra të njerëzve që kanë marrë ndër vite përgjegjësinë e shëndetit të qytetarëve janë sjellë me indekset përkatëse, lehtësisht të konsultueshme për këdo që kërkon të njihet me secilin prej protagonistëve të mjeksisë durrsake në shekuj.

I ndërgjegjshëm, që në një qytet me histori 3-mijëvjeçare si Durrësi mjeksia kishte rrënjë të thella, dr. Bashkimi ka gjetur si protagonist të parë të mjeksisë në qytetin antik, mbretin ilir Genti, i cili sundoi në shekullin e dytë dhe që ka hyrë në histori pasi ka zbuluar efektet kurative të një bime mjeksore që ka marrë për nder të tij, emrin shkencor “Gentiana”.

“Për këtë kapitull të shkurtër, që lidhet me të dhënat e lashtësisë dhe mesjetës jam konsultuar me historianin Moikom Zeqo, i cili më vuri në dispozicion librat e tij, ku përmenden mjekët e lashtësisë,” – dëshmon dr. Bashkim Habibi, i cili gjen rast të falenderojë të gjithë ata që e kanë ndihmuar në hartimin e këtij vëllimi: z. Agim Dule, si ndihmësi kryesor në mbledhjen e materialeve; z. Lekë Boshnjaku, që ka ndihmuar me arkivin familjar “Foto Boshnjaku”; z. Agron Meçaj për mbështetjen e studios “Foto Venezia”, si dhe punonjësit e bibliotekës publike që nxorrën nga fondet “Historikun e mjeksisë shqiptare” të dr. Fejzi Hoxhës dhe librin e dr. Kadri Kërçikut, “Zhvillimi i shëndetsisë në Shkodër”.

“Përse e keni quajtur “Historiku i spitaleve të Durrësit”, – e pyes. “Të dhënat e para për përballimin e sëmundjeve të rënda si kolera, e më vonë tuberkolozi, etj., vijnë të dokumentuara që nga shekulli i 12-të, përmes historianes Anna Komnena,” – shprehet dr. Bashkimi, i cili më pas sjell materiale dhe foto thuajse për të gjitha spitalet e hapura në Durrës në kohë të ndryshme, që nga viti 1903 e në vazhdim.

Autori pasi ka përcjellë pasqyrën historike të mjeksisë dhe spitaleve në qytetin bregdetar, dëshmon, gjithmonë përmes dokumentacionit dhe fotove mbi shërbimet e para shëndetsore në spitale, drejtuesit e spitaleve përgjatë një shekulli (foto emocionuese, jo vetëm për personelin spitalor, por edhe për pacientët e shumtë që kanë patur rastin të njohin disa nga ikonat e drejtimit të këtij spitali), e më pas renditjen kronologjike të 23 shërbimeve spitalore, ku bashkë me historikun e shkurtër të formimit dhe zhvillimit gjen të dhëna edhe për mjekët, infermierët dhe personelin.

Nuk ka qenë e lehtë të grumbullosh materiale për njerëz, që nuk jetojnë më, aq më tepër kur një pjesë e madhe e familjeve kanë emigrauar jashtë vendit.

“Është e vërtetë. Unë u jam drejtuar me të gjitha mënyrat e mundshme, letra, e maile, telefonata, dhe u jam mirënjohës qindra përgjigjeve me materiale që kanë mbërritur nga familjarët, jo vetëm nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe në vende të tjera të Evropës, SHBA, Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, etj.”

Si një historian i vërtetë, dr. Bashkim Habibi e ka arkivuar të gjithë materialin, i cili përbën një bazë të shëndoshë për një punë kërkimore të ardhme. E mbi të gjitha është përpjekur të largojë nga faqet e tij gjithçka të tepërt, që mund ta rëndojë leximin e këtij libri dokumentar.

A ka ndonjë peng të pathënë në libër?

“Për fat të keq nuk pata mundësi të hulumtoj nëpër arkiva. Në arkivat lokale ka pak materiale, ndërsa megjithë mirësjelljen dhe korrektesën profesionale të Arkivit të Shtetit unë nuk kisha mundësi financiare për të përballuar grumbullimin e materialeve kundrejt pagesës,” – tregon dr. Bashkim Habibi.

Edhe publikimi i librit nga shtëpia botuese “Morava” është financuar plotësisht nga dr. Bashkimi.

“Kam patur mirëkuptimin e plotë të familjes për këtë ndërmarrje, të cilën fillimisht fillimisht kisha frikë-thotë mjeku i nderuar, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen e plotë të bashkëshortes Dezdemona, mjeke dhe drejtuese e njohur në sektorët e higjenës në qytet, e cila bashkë inkurajimin dhe qëmtimin e materialeve të vlefshme është edhe redaktorja e monografisë “Historiku i spitaleve të Durrësit”.

“Shumë shpejt frikërat që më kishin mbërthyer u kthyen në një dëshirë të papërmbajtur për të mbledhur sa më shumë materiale dhe për të njohur unë vetë, dhe pastaj për t’ua bërë të ditur edhe të tjerëve se sa shumë njerëz të mrekullueshëm, qofsin këta mjekë, farmacistë, ndihmës mjekë, laborantë, infermierë, nëpunësa, administratorë e personel tjetër kanë punuar me vetmohim, përkushtim, dhe sakrifica në shërbim të spitalit dhe në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve të Durrësit dhe të rrethinave të tij,” – shkruan dr. Bashkimi në parathënie. Një veprimtari 3-vjeçare, një kontribut i vyer, i cili ka gjetur falenderimet dhe miratimin e plotë jo vetëm të punonjësve të sektorit të shëndetsisë dhe familjarëve të tyre, por edhe të lexuesve të tjerë, që e kanë shfletuar këtë libër.

Lini një koment »