Matura Shteterore 2013 – Publikohen 39 programet orientuese

Alda Dalushi 24 Janar, 2013 Komentet Off
Matura Shteterore 2013 – Publikohen 39 programet orientuese

Gjimnazet e Durrësit ngrenë Komisionet e Maturës

Janë publikuar, nga Ministria e Arësimit dhe Shkencës, 39 programet orientuese për provimet e maturës shtetërore të 2013. Këto programe do të shërbejne si baza për specialistët, në hartimin e provimeve të maturës. 39 programet orientuese, në bazë të kurrikulës së re për gjimnazet, janë ndarë në lëndë bërthamë, të thelluara dhe gjuhët e huaja, ku përkatësisht janë programet për 16 lëndë bërthamë, 9 të thelluara dhe 14 për gjuhët e huaja. Maturantët e shkollave artistike dhe ata të shkollave profesionale, në dallim nga maturantët e gjimnazeve të përgjithshme, kanë më shumë programe orientuese, përkatësisht tre për shkollat artistike dhe një për ato të mesme profesionale.

Pak ditë pas publikimi të udhëzimit mbi zhvillimin e Maturës Shtetërore, me shpërndarjen edhe të programeve orientuese, bëhet e ditur se provimet e detyrueshme dhe ato me zgjedhje, do të mbështeten tërësisht në objektivat dhe qëllimet e kërkuara në programet orientuese dhe këto të fundit, i janë referuar plotësisht temave të trajtuara nga gjimnazistët, gjatë viteve të shkollës së mesme. E gjitha kjo, synon mospërsëritjen e rastit të provimit të gjuhë-letërsisë (i detyrueshëm), me poezinë “Albatros”.

Bashkë me këto, MASH bën me dije në udhëzimin e saj të fundit, se teza e provimeve, si ato të detyrueshëm, po ashtu edhe ato me zgjedhje, do të hartohen duke pasur tre nivele vështirësie, atë bazë, i cili do të përbëjë rreth 40 % të pyetjeve të testit, niveli mesatar po me 40 % dhe niveli i lartë, i cili i referohet 20 % tjetër të pyetjeve të testit, të cilat kërkojnë njohuri më të gjera.

Ndarja sipas tekstit letrar dhe atij jo letrar, do të jetë e pranishme edhe në testet e sivjetshme, ku teksti letrar do të zërë rreth 45 % të tezës dhe teksti joletrar do të zërë 55 %, ç’ka do të thotë se vëmendje më e madhe, e po kështu edhe pikë më shumë, do t’i kushtohen aftësive personale të nxënësve, krahas dijeve teorike të marra gjatë viteve të gjimnazit.

Për herë të parë këtë vit, maturantët mund të përzgjedhin të japin si provim, edhe dy gjuhë të huaja, me kushtin që njëra prej tyre të jetë gjuhë e parë.

Ngrihen komisionet e maturës në gjimnaze

Ndërkohë në shkollat e mesme të Durrësit, ka nisur puna në ngritjen e Komisioneve të Maturës Shtetërore. Sipas udhëzimit të MASH, këto komisione, në dallim nga vitet e mëparshme, duhet të përbëhen nga 3 deri në 5 anëtarë dhe jo deri në 7, si një vit më parë. Drejtori i shkollës është kryetar i komisionit të maturës, kurse numri i anëtarëve, varet nga numri i përgjithshëm i nxënësve të vetë shkollës.

Alma Rakipi, specialiste e kurrikulës dhe cilësisë pranë DARD-së, thotë se disa gjimnaze e kanë përfunduar tashmë këtë process, ndërkohë që të tjerë janë në votim e sipër. Pas zgjedhjes nga ana e vetë gjimnazeve, emrat e propozuar i kalohen për miratim Drejtorisë Arsimore Rajonale.

Comments are closed.