Matura Shtetërore 2013 – Ja cilat janë ndryshimet e këtij viti

Alda Dalushi 14 Janar, 2013 1
Matura Shtetërore 2013 – Ja cilat janë ndryshimet e këtij viti

Në javën e parë të janarit, pranë Drejtorive Rajonale të Arsimit ne vend, kanë mbërritur udhëzimet e MASH për zhvillimin e Maturës Shtetërore këtë vit, të shoqëruara edhe me programet orientuese për maturantët. Ndërkaq, nga udhëzimet e MASH, bëhet me dije se  Matura Shtetërore 2013 do të shoqërohet me disa ndryshime, në pjesë të caktuara të saj.

Këtë vit, maturantët do të mund të plotësojnë online edhe dy formularë A1dhe A1Z, për t’u regjistruar në maturën shetërore, në dallim nga viti i kaluar, kur online, nisi për herë të parë, të plotësohej formulari A2, në të cilin maturanti duhet të përzgjidhte 10 preferencat e tij për programet e studimit dhe formulari A3. E gjitha kjo, bëhet me qëllim zhvendosjen e plotë të  procesit në hapësirë dixhitale.

Sipas udhëzimeve të MASH, plotësimi i formularit A1 i cili regjistron maturantët aktualë në të dhënat e MASH për maturën shtetërore 2013 dhe A1Z, i cili regjistron të gjithë kandidatët (ata që e kanë përfunduar maturën, vitet e kaluara), do të zgjasë deri në 15 mars. Pra, pas kësaj datë, nëse një maturant apo kandidat, nuk e gjen emrin e tij, në të dhënat e MASH për maturën e sivjetshme, ai nuk mund të plotësojë formularin A2.

Të tjera ndryshime që do të prekin maturën shtetërore këtë vit, janë të lidhura me përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje. Vitin e kaluar, një maturant ishte i detyruar të përzgjidhte të paktën tre lëndë me zgjedhje, për të marrë 8 kreditet e nevojshme. Këtë vit, maturantët do të mund të përzgjedhin vetëm dy lëndë. Sipas udhëzimeve të MASH, kjo ndodh sepse disa lëndë, të cilat figuronin si potenciale për t’u përzgjedhur sipas preferencave të maturantit, janë integruar me njëra tjetrën, në bazë të afrisë së përmbajtjes. Bashkimi ka ndodhur kryesisht me lëndët të cilat krahas programit bërthamë, kanë pasur edhe programin e thelluar. Këtë vit, dy lëndë të tilla janë bashkuar, duke mbledhur, në këtë mënyrë edhe kreditet e të dyjave. Ajo ç’ka nuk ka ndryshuar, është numri 8 i krediteve që duhet të plotësojë maturanti nga provimet me zgjedhje.

Po kështu, në dallim nga viti i kaluar, kur një maturant, mund të dilte nga qendra e provimit, pasi të ishte i sigurtë në përfundimin e testit, edhe pse koha e provimit mund të mos kishte mbaruar, këtë vit, asnjë maturant nuk lejohet të largohet nga salla e provimit, pa mbaruar orari i përcaktuar për provim.

Gjuhët e huaja

Ndryshe nga sa u përfol vitin e kaluar, kur pretendohej se anglishtja do të renditej si provimi i tretë i detyrueshëm për provimet e lirimit dhe Maturës Shtetërore, këtë vit, të paktën për maturantët, anglishtja do të mbetet sërish një lëndë me zgjedhje. Në bazë të udhëzimit të MASH, edhe këtë vit, maturantët do të kenë mundësi të përzgjedhin dy gjuhë të huaja për t’i dhënë ato si lëndë me zgjedhje. Kushti i vetëm është që njëra të jetë gjuhë e parë dhe tjetra si gjuhë e dytë.

Kujdes koefiçientët!

Në udhëzimet e MASH, ju bëhet thirrje maturantëve të vlerësojnë me kujdes dy tipe koefiçientësh, atë të lëndëve me zgjedhje dhe programit të studimit që duhet të përzgjedhin në formularin për regjistrimin në universitet. Një lëndë e caktuar, nuk ka koefiçient të njejtë për programe studimi të ndryshme. Nëse do të merrnim një shembull ilustrues, lënda e Bilogjisë, nuk ka të njejtin koefiçient vlerësimi, për nje degë shoqërore dhe një shkencore, pra për Fakultetin e Mjekësisë, koefiçineti i kësaj lënde, nëse zgjidhet si provim me zgjedhje do të jetë më i lartë, se për fakultetin e Filologjisë.

Shtohen administratorët e provimeve

Ndryshimet e sivjetshme kanë prekur edhe organizimin e maturantëve brenda ambjenteve të përcaktuara për dhënien e provimeve. Kështu, është ulur numri i maturantëve që do të vendosen në një ambjent të caktuar. Në dallim nga viti i kaluar, ku në një ambjent, duhet të ishin minimalisht 30 nxënës, këtë vit, minimumi i lejuar është 15, ç’ka, sipas sepcialistëve të DARD-së, jep mundësinë e shfrytëzimit të shumë klasave nëpër shkolla, si ambjente provimesh, duke qenë se një vit më parë, kjo gjë nuk ishte e mundur për vetë hapësirën e vogël të këtyre klasave.

Ndryshimet kanë prekur edhe administratorët e provimeve. Vitin e kaluar , një administrator, mbikqyrte 20 deri në 25 nxënës, ndërkohë që këtë vit, një administrator do të ketë nën kujdes 15-20 maturantë, gjë e cila rrit numrin e administratorëve për sallë. Kjo bëhet me qëllim, rritjen e vigjilencës dhe shmangien e mundësive për kopjim nga ana e maturantëve.

Një koment »

  1. Donna 19 Janar, 2013 tek 10:31 - Reply

    Qenkan bere shume ndryshime,ishalla dalim mire kete vit ne si maturante qe jemi !

Lini një koment »