Infeksionet e rrugëve urinare, çfarë duhet të dimë

Alda Dalushi 22 Nëntor, 2012 2
Infeksionet e rrugëve urinare, çfarë duhet të dimë

Flet mjekja nefrologe, Ermira Lala

Sëmundjet e veshkave janë të shumta, por më të zakonshmet janë insufiçenca akute dhe sëmundja kronike e veshkave, infeksionet e traktit urinar, turbekulozi renal e të tjera. Në shkallë botërore, sëmundjet kronike të veshkave në ditët e sotme zënë 10-12 për qind të numrit të popullatës së rritur dhe janë sëmundje  të shoqëruara me rrisk të lartë për kalimin e tyre në stad të fundit të sëmundjeve  kronike renale, që në të shumtën e tyre përfundojnë tragjikisht. Nefrologia Ermira Lala, nga Spitali Rajonal i Durrësit thotë se shkaqet për krijimin e sëmundjeve të veshkave janë të shumta, në bazë edhe të klasifikimit të tyre. Megjithatë, si faktorë primarë, renditen uji i pijshëm, ushqimet dhe higjiena personale.

Në Durrës, numri i pacientëve që vuajnë nga veshkat është i lartë, ndonëse një shifër ekzakte e tyre nuk mund të përcaktohet, pasi jo të gjithë pacientët ndërgjegjësohen për të kryer vizitat tek mjeku përkatës, që në momentin e parë të simptomave, duke e lënë problemin apo sëmundjen të degradojë deri në stadet e fundit.

Sipas mjekes Lala, femrat janë ato të cilat kanë më shumë predispozitë të preken nga infeksionet e rrugëve urinare dhe kjo për një sërë arsyesh, ndërkohë që kujdes të madh, sipas nefrologes, duhet të tregojnë gratë shtatëzëna, një stad ky i cili e ekspozon më shumë femrën ndaj këtij rreziku, por edhe sjell komplikacione të mëtejshme në shëndetin e femijës.

Çfarë janë infeksionet e traktit urinar

Infeksionet e rrugëve urinare janë gjendje septike që shfaqen zakonisht me shenja të përgjithshme si temperaturë të lartë, ethe, ndjenjë të ftohti, djerësitje e ndonjëherë përparim të shpejtë e alarmues deri në rëndim të gjendjes shëndetësore, apo shok bakteriemik. Infeksion i rrugëve urinare është stadi kur në urinë, uretër, në veshka ose prostatë konstatohen mikroorganizma patogjenë, si baktere të ndryshme. Kur ky numër i mikroorganizmave i kalon 105 të tilla për mililitër, gjë e cila vërehet nga analizat e urinës, ky është tregues i infeksionit.

Klasifikimi i këtyre infeksioneve është i ndryshëm, në bazë të përbërjes së mikroorganizmave. Këto infeksione  i ndajmë në dy kategori, ato të rrugëve të sipërme dhe të rrugëve të poshtme urinare. Në katëgorinë e parë quhen ndryshe infeksione të plevisit renal. Këto janë infeksione akute mikrobiale që prekin përbërjen e veshkave.  Kurse sa i përket rrugëve të poshtme urinare infeksionet i ndajmë në të uretrës, të fshikëzës urinare dhe të prostatës, ç’ka sjellin edhe probleme e komplikacione të ndryshme, gjatë urinimit.

Meshkujt dhe femrat, cila gjini preket më shumë

Sipas nefrologes Lala, është vlerësuar se më shumë se 1/3 e femrave gjatë jetës së tyre kanë shfaqur simptoma të infeksioneve të rrugëve urinare të shprehura me bakteriuri, çiste bakteriale, ose sindromë uretrale. Kurse tek meshkujt infeksionet e traktit urinar janë më të rralla, por ajo që vlen për t’u përmendur është fakti se ato duhen trajtuar më rëndësinë dhe  kujdesin e infeksioneve të rënda e të komplikuara, deri sa të provohet e kundërta. Gjinia është një ndër faktorët e rëndësishëm në shfajen e infeksioneve të tilla. Femrat për vetë ndërtimin anatomik të rrugëve urinare janë më të predispozuara të preken nga  infeksionet. Tek femrat ndër të tjera ndikojnë edhe akti seksual i pambrojtur apo i pa kontrolluar, ekspozimi ndaj spermicideve  e diafragmave të vendosura nga femrat, përdorimi i kondomeve të parregullta, menopauza, diabeti e të tjera.

Të tjerë faktorë rreziku

Të tjerë faktorë janë ato që kanë të bëjnë më vetë rrugët urinare si ndërlikimet nga bllokimet, pengesat që ulin rezistencën e veshkave dhe vijave urinare e që favorizojnë infeksionet si struktura e utretrës, hipertrofia e prostatës, gurët uretralë, gurët e rrugëve urinare, keqformimet e të tjerë.

Gjendja fiziologjike e njeriut është një tjetër faktor. Përshembull gratë shtatëzëna janë shumë të predispozuara ndaj infeksioneve, të cilat mund të jenë edhe të dëmshme, kur bëhët fjalë pas aborteve, vdekjeve të fetusit, lindjeve të parakohëshme. Ndaj në këtë fazë është e rëndësishmë bërja e analizave të njëpasnjëshme.

Ndër të tjerë faktorë mund të përmendim edhe vetë ndërhyrjet për të ekzaminuar infeksionet, pasi kateteri, pra aparati që kryen ekzaminimet për infeksionet, është thuajse gjithnjë i kontaminuar. Agjentët toksikë ulin ndjeshëm rezistencën  e indit renal ndaj infeksioneve të ndryshme.

Për shpërthimin e infeksioneve të ndryshëm, mund të luajnë rol edhe kombinimet e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Kujdes duhet pasur, sipas mjekes Lala, me higjenën personale, veçanërisht tek femrat, të cilat për vetë strukturën e uterusit të tyre, janë më të predispozuara të zhvillojnë tipe të ndryshme infeksionesh. Rënia e imunitetit të trupit nga sëmundjet e tjera, përdorimi pa kriter i medikamenteve të ndryshëm, mund të sjellë edhe krijimin e mykut në rrugët urinare, e për pasojë infeksione.

Klasifikimi i infeksioneve në bazë të simptomave

Ato mund të jenë të pa komplikuara, pa simptoma të dukshme, me funksionim të zakonshëm të veshkave dhe rrugëve urinare. Mund të jenë të komplikuara, që shfaqin probleme në traktin gjenito-uretral dhe infeksione të përsëritshme e të rikthyeshme, të cilat mund të mos jenë të trajtuara mirë më parë.  Këto të fundit mund të rikthehen me të njejtin intensitet ose edhe më të fuqishëm. Gjatë fëmijërisë dhe adoleshëncës shumë infeksione mbeten pa simptoma. Këto infeksione bëhen më të shpeshta tek të rriturit, pas aktivitetit seksual, për të dyja gjinitë, veçanërisht tek gratë në shtatëzani, por edhe tek të moshuarat.

Trajtimi medikamentoz i duhur në bazë të infeksioneve të ndryshme

Trajtimi i infeksioneve bëhet sipas shkaqeve, pas urokulturës, metodës së përcaktimit se cili bakter shkakton infeksionin dhe kur bakteri është bërë i njohur mund të përdorim:

Cystitis: Trimethoprim 200 mg, çdo 12 orë për tri ditë tek femrat dhe 7 ditë te meshkujt; Cefalexine 1g/12 orë; Ciprofloxacine ose amoxiclave për shtatë ditë rrjesht.

Pielonefriti akut: Cefuroxime 1.5 g për çdo tetë orë deri në shtatë ditë.

Prostatiti: Ciprofloxacinë 500 mg çdo 12 orë për katër javë.

2 Comments »

  1. kristiana veshaj 2 Dhjetor, 2012 at 19:22 -

    ju lutem shum me lini nj numer kontakti sepse ka vajzen 7 vjece me ifeksion ka 4 vjet

  2. Alda Dalushi 3 Dhjetor, 2012 at 12:31 -

    0692232657 e quajne Ermira dhe eshte doktoreshe shume e mire. Sherim te shpejte vajzes, Kristina!