Futboll, Teuta merr një pikë, barazon 1 – 1 me Kukësin

29 Tetor, 2012 0
Futboll, Teuta merr një pikë, barazon 1 – 1 me Kukësin

Eshtë mbyllur në paqe takimi i luajtur në Kukës ndërmjet skuadrës vendase dhe Teutës. Loja fillon me ekipin e Cungut në sulm dhe kjo lojë shpërblehet në minutën e 26, pas një penalltie të shkaktuar nga braziliani Da Silva, pas një prekje të topit me dorë. Për të shënuar mendon Allmuça që kalon ekipin e tij në avantazh. Pas pësimit të golit, ka reaguar skuadra mike, por nuk arrin të jetë e qartë në lojën e vet. Repartet nuk kanë koordinimin e nevojshëm e për pasojë verilindorët s’e kanë të vështirë të mbrohen mirë dhe të dalin rrezikshëm në kundërsulm. Tepër i shqetësuar duket në stolin e Teutës trajneri Begeja, që i orienton të tijët të godasin edhe nga distanca, duke parë se e kanë të vështirë të organizohen.

Xhafa dhe Mancaku impenjojnë dy herë radhazi pas çerekorëshit të parë të lojës Halilajn, por portieri i Kukësit eviton pa shumë vështirësi rrezikun. Kuksianët kanë një prapavijë të konsoliduar, çka e tregon edhe numri i paktë i golave (vetëm katër), të pësuar në tetë javë kampionat, ndaj i besojnë shumë këtij reparti. Malota është i pakalueshëm në qendër të mbrojtjes, ndërsa nuk hezitojnë të aplikojnë edhe markimin e rreptë karshi Xhafës dhe Mancakut.

Durrsaket fitojnë disa goditje dënimi afër zonës së 1rreptësisë, të cilat nuk është se prodhojnë ndonjë rezultat konkret. Ndonëse me forca të shumta në fazën ofensive, Teuta vijon të shfaqet e paqartë në konkludim, duke “thyer kokën” në të gjitha orvatjet e veta drejt portës së Halilajt. Djemve të detit u mungon dukshëm qetësia dhe qartësia taktike, kështu që mbeten në pozita inferioriteti karshi pjekurisë dhe pragmatizmit kuksian, falë lojtarëve me eksperiencë që ka formacioni i Cungut.

Në të tilla kushte, goli i Allmuçës mbetet i pacënuar deri në fund të pjesës së parë, gjatë nje goditje këndi Tetua realizon me anë te Nikaj i cili kërcen mjaft bukur dhe realizon golin e barazimit në minutën e tretë shtesë. Teuta e zhvendos lojën me plot entuziasëm në gjysmëfushën e Kukësit, duke krijuar edhe raste për konkludim, pavarsisht se porta e Halilajt mbetet e paarritshme. Skuadra e Cungut kujtohet të dalë edhe në sulm për këtë fraksion të ndeshjes, me besimin se mund ta rigjente sërish avantazhin, por nuk ia del dot, ashtu sikurse miqtë më kot mundohen të marrin pikët maksimale në këtë javë, duke u bërë një dhuratë të bukur tifozëve të vet. Palët ndajnë nga një pikë, që më shumë lë të kënaqur kuksianët, të cilët mbeten skuadra e pamposhtur ende në Superiore, pa asnjë humbje.

Ndeshjet e Superiores, Skënderbeu likujdon Tiranën

Skënderbeu ka hedhur fuqimisht kandidaturën për titullin e tretë kampion radhazi në Kategorinë Superiore, falë fitores 2-0 ndaj Tiranës, që i mundëson korçarëve të shkëputen më tej në kreun e klasifikimit. Në sfidën e javës së tete, pritej që ekipi i drejtuar nga Mirel Josa të shfaqte vështirësi përballë Tiranës, por në fakt nuk ka ndodhur kështu pasi bardheblutë janë mundur pa shumë histori në Korçë me rezultatin 2-0. Skënderbeu u shfaq dominant që në minutat e para, zotëroi mesin e fushës si dhe qarkulloi më mirë topin. Tomic dha shkëndijën e parë në minutën e 21-të me një krosim të rrezikshëm nga e djathta, më pas vijnë tentativat e Bicit me kokë, Lilajt nga distancë, për të ardhur tek rasti flagrant i Sebino Plakut, që përballë Ilion Likës nuk arrin ta përcjellë topin në rrjetë. Në pjesën e parë, tentativat e Tiranës ishin sporadike dhe pa shumë rrezikshmëri.

Heroi i vendasve ka qenë i zakonshmi Pero Pejiç, i cili me dy golat e tij në pjesën e dytë ka vulosur këtë sfidë, të cilën kryeqytetasit e mbyllën me 10 lojtarë pas kartoni të kuq të Muçollarit. Kjo fitore bën që Skënderbeu të shkëputet më tej në kreun e renditjes, duke pasur tashmë tete pikë avantazh ndaj Besës, që luan të dielën në fushën e vështirë të Kastriotit. Ndërsa Tirana mbetet momentalisht në vendin e trete, në krizë të plotë rezultatesh pasi ka marrë vetëm tre pikë në katër ndeshjet e fundit në kampionat, pa harruar disfatën e turpshme 4-0 në Kupën e Shqipërisë, përballë Kukësit. Ndërkohë, Flamurtari i është kthyer fitoreve falë tre golave të Migen Memellit, i cili ka ndihmuar vlonjatët të triumfojnë 3-2 përballë Luftëtarit, në një sfidë të cilën deri 2 minuta para fundit po e humbnin 2-1.

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, mendon se çështja e titullit mbetet e hapur, duke përfshirë në garë edhe Flamurtarin. Artur Lekbello, pranoi se Tirana tashmë është larguar nga titulli, për gabime trashanike, që nuk duhet të bëhen nga futbollistët. Në Fier, Apolonia shpërdëroi një tjetër mudnësi për të marrë fitoren e parë në kampionat, pasi barazoi 1-1 me Tomorin në ndeshje që gjati shumë më tepër se 90 minuta pasi pjesë e dytë nisi me vonesë për shkak të reshjeve të shiut. Flamurtari arriti një fitore dramatike në fushën e Luftëtarit falë sulmuesit Migen Memelli, i cili realizoi një tregolësh që në këtë rast vlen më shumë se tri pikë. Edhe pse u ndodh dy herë në dizavantazh, skuadra vlonjate diti të reagonte, madje besoi deri në fund te fitorja të cilën e arriti në minutën e katërt shtesë.

Në pjesën e parë, ky takim dha përshtypjen se Luftëtari nuk do të dilte pa pikë, sidomos pas minutës së 9, kur dy gabime të njëpasnjëshme të portierit Koliqi dhe mesfushorit Kuqi i dhanë mundësi Shenajt të kalonte në avantazh skuadrën e tij me një goditje të saktë nga një distancë e konsiderueshme. 10 minuta më pas, të besuarit e Dedës mund të kishin kaluar në avantazh të dyfishtë nëse Milic do të tregohej më i saktë përballë Koliqit. Përpjekjet e Flamurtarit në 45 minutat e para ishin të zbehta, pa shumë rrezikshmëri, ndoshta edhe për shkak të terrenit të rënduar për shkak të reshjeve të shiut.

Lini një koment »