Fotot e rralla – Bombardimi i Durrësit më 2 tetor 1918

24 Dhjetor, 2012 1
Fotot e rralla – Bombardimi i Durrësit më 2 tetor 1918

95 vjet më parë në Durrës, pikërisht përballë hyrjes kryesore të portit detar sot, ndodhej ende një godinë 3-katëshe, e njohur si pallati mbretëror. Në mjediset e saj jetoi për disa muaj Princ Wilhelmm Wied, në kapërcyellin e viteve 1913-1914.

Cili qe fati i këtij pallati? Çfarë ndodhi me të dhe si ndryshoi pamja e qytetit tonë pas shkatërrimit të saj?

Në kujtimet e botuara në librin “Gjashtë muaj mbretëri”, sekretari i Princ Vidit, kapiteni Heaton Armstrong, flet për “Pallatin e Verdhë” të rivierës shqiptare, për Konakun me grila të mëdha e të gjelbërta, të ngritur pranë detit, në mes të një kopshti me bajame, i cili, kur princ Vidi dhe shpura  e tij mbërriti në Durrës, lulëzonte nga bajamet dhe ishte i mbushur me pemë të tjera ekzotike”.

Armstrong përshkruan Dhomën e Fronit, apartamentet e mbretit e të mbretëreshës, kuzhinën dhe gjithçka tjetër. Vetë princ Vidi shkruante se zgjedhja e Durrësit si kryeqytet i shqiptarëve, lidhej me faktin se ai ishte qyteti më i madh e më i rëndësishëm i vendit, por edhe pse pas shkatërrimit të Shkodrës nga bombardimet malazeze të vitit 1913, në qytetin bregdetar ishte instaluar edhe Komisioni i Kontrollit të Fuqive të mëdha, i cili do të vendoste për kufijtë e vendit.

Jo vetëm kaq, por brenda mureve të Kështjellës ndodhej edhe një pallat i gurtë i ish-mytesarifit turk të qytetit, që mund të përshtatej fare mirë si pallat mbretëror.

Studiuesi Kristo Xhimitiku, i cili prej shumë vitesh ka mbledhur foto të rralla të qytetit tonë, thotë se fotot që ka vënë sot në dispozicion të “Gazetës së Durrësit” janë marrë nga libri “L’azione navale”, shkruar nga Fulvio Vicoli dhe botuar në vitin 1932 në Milano nga shtypshkronja “Omero Marangoni”. Xhimitiku shton se bashkë me origjinalin e 80 viteve më parë, trashëguar nga gjyshi i tij, Kristaq Xhimitiku, ai vetë ka blerë ribotimin e vitit 2001 të shtëpisë botuese “Il castello” të Milanos.

Çfarë ka ndodhur me pallatin mbretëror?

Më 2 tetor të vitit 1918, në përfundim të luftës së madhe, pallati u bë shënjestra kryesore e një bombardimi të rëndë.

Xhimitiku i ri, thotë se duke kërkuar në arkiva e fototeka italiane ka krijuar bindjen që bombardimi i 2 tetorit të 94 viteve më parë ishte haraçi i padrejtë që Durrësi dhe banorët e tij të kamur apo të zakonshëm paguan për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur, nga vendimet e dala nga Konferenca e Paqes apo nga Traktati i Versajës.

“Qyteti dhe Porti i Durrësit u bombarduan me kërkesë të admiralit Gauchet, komandant i forcave detare franceze në Korfuz dhe njëherësh Komandant i forcave detare Aleate të Frontit të Lindjes” – nënvizon studiuesi Xhimitiku.

Kërkesa e Admiralit u konsiderua në Këshillin e Luftës së Aleancës si “e habitshme”, nëse bazohemi në Konventën Detare të Fuqive të Mëdha, si dhe  në Traktatin e prillit 1915, që i njihte Italisë të drejta të tjera mbi territoret shqiptare të Vlorës dhe rrethinave, si dhe protektoratin mbi Shqipërine dhe ujrat e saj.

Sipas Xhimitikut, admirali kishte argumentuar kerkesën e gjeneralit Franchet d’Esperey, sipas të cilit Durrësi dhe Porti i tij, në qoftë se nuk shkatërroheshin, do të përdoreshin për  evakuimin e ushtrisë bullgare dhe gjermane, e cila nga ana e saj, kishte pësuar humbje të mëdha përgjate linjës së Frontit, që ndahej nga lumi Vardar, në  afërsi të Manastirit dhe që ishte në prag të asgjësimit dhe dezertimit.

Forcat bullgare do të tërhiqeshin dhe do të zëvëndësoheshin me kontigjente të freskëta, që do të  thoshte se trupat austro-hungareze, do të hidheshin në kundërsulm ndaj forcave Aleate. Kjo gjë mund të ndryshonte fatet e Luftës së Parë Botërore. Deri në atë kohë austro-hungarezët kishin shfrytëzuar epërsinë luftarake detare në bazat e Durrësit dhe Kotorrit, pasi kishin bindjen se italianët nuk do t’i shkatërronin qytetet shqiptare që uu ishin premtuar si plaçkë lufte.

Qyteti i Durrësit në atë kohë gëzonte një sistem baterish mbrojtëse dhe një fuqi të tillë zjarri, të cilat deri në atë kohë kishin rezultuar të pathyeshëm.

Vetëm një ekspeditë ushtarake me një fuqi zjarri më të madhe mund të arrinte objektivin e caktuar.

Bombardimi i Durrësit është sipërmarrja më e madhe ushtarake detare, e ideuar në Mesdhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ku u përdorën një divizion kryqëzorësh të rëndë të tipit San Giorgio dhe gjithfarë anijesh të lehta të forcave detare të Italisë, Britanisë së Madhe dhe të SHBA, të cilat u bashkërenduan me aviacionin e përbërë nga hidroplanët italianë dhe anglezë të Bazave të Vlorës dhe të Brindizit, shkruan Xhimitiku.

Për tre orë më radhë mjetet bombarduese zhvilluan mbi qytetin e Durrësit dhe portin e tij një fuqi zjarri të përqëndruar dhe të paparë gjatë gjithë Luftës, duke shkatërruar rëndë kryeqytetin e pafat të shqiptarëve.

Operacioni detar kundër qyttetit për shkak të rëndësisë që kishte rezultati i saj u organizua nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë italiane dhe u komandua nga admirali Paolo Thaon di Revel, në bordin e anijes “Dante Aligieri” më e madhja e asaaj kohe në Flotën italiane-përfundon studiuesi Kristo Xhimitiku.

Bombardimi aleat i Durrësit, shkatërrimi i Portit, i magazinave, hangareve te hidroplanëve, dhe në përgjithesi i qytetit, si dhe i pazarit e i pallateve më të rëndësishëm të tij, e dobësoi shumë moralin e durrsakëve. Kudo në qytet kishte shkatërrim, djegie, sëmundje e vdekje.

Flota italiane e Adriatikut e Jugut, e vetmja që zoteronte anije me artileri me qitje më të largët se sa bateritë mbrojtëse austro-hungareze të Durrësit shkatërroi rëndë qytetin.

“Më ka bërë përshtypje një paragraf i librit “Kronikë për Durrësin dhe durrsakët”, shkruar nga dr. Ali Sula”, vëren në intervistën e tij për “Gazetën e Durrësit”, studiuesi Kristo Xhimitiku. Dr. Ali Sula është i sinqertë, kur shkruan se te durrsakët në atë kohë mbizotëronte fataliteti për jetën dhe të ardhmen. “Familjet autoktone të Durrësit panë dhe hoqën shumë keq. Disa prej tyre u larguan përkohësisht për tu kthyer përsëri, duke vlerësuar dhe dashur edhe më fort Durrësin, qytetin e tyre” – përfundon Kristo Xhimitiku.

Një koment »

  1. E VERTETA 31 Dhjetor, 2012 tek 05:28 - Reply

    E VERTETA NGJALL DHE VDEKJEN

Lini një koment »