Fenomeni – Nxënësit e kthyer nga emigracioni, vështirësi me mësimin në shkollat e Durrësit

Alda Dalushi 22 Nëntor, 2012 Komentet Off
Fenomeni – Nxënësit e kthyer nga emigracioni, vështirësi me mësimin në shkollat e Durrësit

430 nxënës të kthyer regjistrohen për vitin 2012-2013, mungojnë orët suplementare për mësimin e shqipes së shkruar e të folur

Në qarkun e Durrësit, numërohen përafërsisht 430 nxënës , pjesë të familjeve të emigrantëve të kthyer në Shqipëri. Nga të dhënat e marra pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale, mësohet se rreth 360 nxënës, që i përkasin këtyre familjeve, janë nxënës të shkollave 9 vjeçare, kurse pjesa tjetër, janë nxënës të shkollave të mesme të qarkut. Ky është edhe viti, ku sipas specialistëve të arsimit në Durrës, regjistrohet edhe numri më i lartë i nxënësve, që vijnë nga familjet e kthyera nga emigracioni. Për vetë vështirësitë ekonomike që po kalon fqinji ynë, Greqia, nga të dhënat e DARD-së, shihet se pjesa më e madhe e fëmijëve të kthyer, janë pikërisht nga familjet e emigrantëve në këtë shtet.

Nxënësit e kthyer, përbëjnë atë kategori, e cila sot, në sistemin arsimor të Durrësit, përballet më një sërë vështirësish, ku spikasin mosnjohja e mirë e shkrimit dhe leximit të shqipes, vështirësitë në përshtatjen me kërkesat dhe rregullat e shkollave shqiptare, integrimi i vështirë e të tjera.

Sipas udhëzimeve të MASH, në lidhje me këtë fenomen, pas nisjes së vitit shkollor dhe përcaktimit të numrit përfundimtar të kësaj kategorie të nxënësve, duhet të organizohen orë  të veçanta, ku këta fëmijë të kenë mundësi që nëpërmjet mësimeve shtesë, të mësojnë të flasin dhe shkruajnë shqip.

I pyetur në lidhje me këtë fenomen, Drejtori i DARD-së, Filip Gjonçi, duke pohuar se ky është viti në të cilin është shënuar edhe numri më i lartë i nxënësve të kthyer nga jasht, tha se drejtoria arsimore, është duke marrë masat për koordinimin e orëve suplementare, për t’ju ardhur në ndihmë këtyre familjeve. “Ka qenë disi e vështirë hartimi i këtyre orëve deri më tani, sepse nuk ishte bërë i mundur ende identifikimi i numrit të saktë të këtyre fëmijëve. Disa prej tyre janë regjistruar me vonesë. Ne, ndërkohë, kemi lëshuar një urdhër për të gjitha drejtoritë e shkollave të qarkut, të cilat duhet të marrin parasysh kushtet e këtyre nxënësve dhe të tregojnë vëmendje të veçantë ndaj tyre, duke i përkrahur në aspektin moral. Megjithatë, pa ndihmën e prindërve nuk ja dalim dot. Ata, sëpaku, duhet t’ju mësojnë fëmijëve gjuhën e folur, në mënyrë që misioni të përmbushet me sukses nga të dyja palët”, thotë Gjonçi.

Sipas specialistëve të arsimit në Durrës, këta fëmijë, ndonëse ulen për herë të parë në bangat e shkollave, ku shkruhet dhe mësohet shqip, janë të detyruar të punojnë me të njejtën kurrikul si të gjithë nxënësit e tjerë, duke u përballur kështu me vështirësi të ndryshme, deri në përvetësimin e mirë të shqipës. Nga ana tjetër, për specialistët e arsimit, një pjesë të fajita e kanë edhe familjet, të cilat në jo pak raste kanë neglizhuar në mësimin e shqipes për fëmijët e tyre.

Aktualisht, performanca e këtyre fëmijëve në shkollë, pavarësisht mësimeve private nëpër familje, mbetet në dorë mësuesve dhe vëmendjes së tyre ndaj kësaj kategorie.

Prindërit: Më shumë vëmendje për fëmijët tanë

Në përpjekje për ta parë fenomenin, më shumë nga këndvështrimi i prindërve, atyre të cilët janë edhe të prekurit kryesorë, Gazeta e Durrësit intervistoi dy prindër, të cilët, i kanë fëmijët e tyre në dy prej shkollave 9 vjeçare publike në qytet.

“Kemi ardhur që në muajin gusht në Shqipëri, nga Greqia, pasi dihet se si janë kushtet atje. Menduam të ktheheshim dhe një ndër hapat e para që ndërmorem këtu, ishte regjistrimi i fëmijëve në shkollë. Unë kam dy vajza, njërën në klasë të tretë dhe tjetrën në të tetën. Jam e pakënaqur nga rezultatet e tyre në shkollë, të cilat pjesërisht, besoj se i kanë edhe nga mungesa e vëmendjes së mësuesve, ndaj problemit tonë, pra që fëmijët e mi, për herë të parë ulën të shkruajnë dhe mësojnë shqip”, thotë Nazmija, njëra prej nënave të intervistuara.

Nazmija thotë se vajzat e saj e kanë të vështirë jo vetëm ta shkruajnë gjuhën shqipe, por edhe ta kuptojnë atë, në pjesën e shpjegimit apo kërkesave mësimore. “Edhe në matematikë, ku veprimet dhe numrat janë të njejtë gjithandej, ato kanë vështirësi, sepse nuk kuptojnë kërkesat”, thotë e shqetësuar Nazmija.

Ndërkohë, një tjëtër nënë, fëmija e të cilës mëson në një tjetër shkollë 9 vjeçare, thotë se me djalin e saj, i duhet të bëjë vetë një punë shumë të madhe në shtëpi , duke iu rikthyer edhe njëherë mësimeve të zhvilluara në shkollë.

Ata kërkojnë nga mësuesit më shumë vëmendje për fëmijët e tyre, të cilët duhet të marrin në konsideratë, kushtet në të cilat këta fëmijë, janë arsimuar para se familjet e tyre të ktheheshin në Shqipëri.

Comments are closed.