Era e keqe e gojës, si ta shmangim

Alda Dalushi 6 Dhjetor, 2012 1
Era e keqe e gojës, si ta shmangim

Këshillon stomatologia Vjollca Berati

Era e keqe e gojës, ajo e cila ndihet veçanërisht në mëngjes, është karakteristike e sikletshme për shumë njerëz. Në jo pak raste, pacientët e caktuar, në të cilët ndihet ky problem, vihen në vështirësi në të qëndruarin afër me të tjerë njerëz apo në komunikimin e tyre.

Stomatologia Vjollca Berati, thotë se era e keqe e gojës, apo frymëmarrja me erë të keqe, janë një prej problemeve që shqetësojnë shumë njerëz e që shkaktohen jo vetëm nga faktorët që i kemi të ditur, por edhe nga të tjerë, ndoshta të panjohur për një pjesë të madhe të popullatës.

Ushqimet që konsumojmë janë përgjithësisht shkaktarët e erës së keqë të gojës, megjithatë, sipas stomatologes Berati, kjo dukuri, pra era e keqe nga ushqimet, është thjesht e përkohshme. Problemi rëndohet, atëherë kur era e keqe shfaqet si pasojë e problemeve shëndetësore, për të cilat nevojitet jo thjesht një përkujdesje e dhëmbëve dhe gojës, por edhe trajtim i sëmundjeve në fjalë, që bëhen shkaktarë.

Sipas stomatologes, problem rëndohet edhe më shumë, sepse vetë personi që e vuan këtë problematike, nuk është i vetëdijshëm për të. Pra është shumë e vështirë për një njeri, të kuptojë apo ndjejë se fryma e tij mban aromë të pakëndëshme.

Vizitat te mjeku stomatolog, janë një prej hapave të domosdoshëm që duhen marrë në largimin e këtij problemi, ndërkohë që të tjera veprime të përditshme, që mund të kryhen nga vetë personi, mund të aplikohem në kushtet e shtëpisë dhe të japin një rezultat të kënaqshëm.

Shkaktarët e zakonshëm

Ushqimet dhe mbetjet ushqimore në gojën tonë janë faktorët kryesorë të aromës së keqe.pas çdo ngrënie, mbetjet e ushqimeve në gojën tonë kthehen në një terren të favorshëm për bakteriet të cilat gjejnë këtu, vendin për t’u ushqyer dhe shumuar e kësisoj të sjellin edhe erën e keqe të gojës.

Ndër shkaktarët e tjerë, stomatologia Berati përmend edhe përdorimin e duhanit dhe kafes, të cilët në mënyrë të pashmangshme lënë gjurmë në erën e frymës sonë, duke e bërë atë të pakëndëshme.

Të tjerë shkaktarë janë sëmundjet e ndryshme, për të cilat, edhe era e gojës është karakteristike. Kjo do të thotë se të sëmurët me diabet, kanë erë karakteristike të gojës, në dallim nga ata të cilët janë të sëmurë me veshka, apo edhe ata të sëmurë nga mëlçia. Edhe personat të cilët vuajnë nga një sëmundje specifike e stomakut, rrezikojnë të kenë një erë të keqe të gojës, sikurse po kaq të rrezikuar janë edhe ata të cilët kanë problem me gjakun.

Po kështu, problematike janë edhe sëmundjet e lidhura drejtpërdrejtë me dhëmbet apo gojën, sikurse mund të jenë dhëmbët a dhëmballët e prishura, bajamet e sëmura e të infektuara, protezat e të tjera.

Mungesa e pështymës, e cila është karakteristikë për shumë njerëz, është një tjetër shkaktar i erës së keqë të gojës. Pështyma, sipas stomatologes Berati, është shplarësi natyral i gojës, duke qenë se në përbërje të saj ka enzima që largojnë bakteriet e ndryshme. Në mungesë të saj, këto mikroorganizma, kanë më shumë mundësi të shumohen e për rrjedhojë të sjellin erën e keqe në gojë.

Edhe përdorimi i alkoolit është një ndër shkaktarët e erës së keqe të gojës e po kështu, edhe medikamentet e ndryshme, që përdorim për një periudhë të gjatë kohë, në kurimin e sëmundjeve kronike. Të dy këta faktorë të fundit, shërbejnë për ta bërë ambjentin e brendshëm të gojës sonë, akoma edhe më të thatë, e për rrjedhojë edhe të rrisin rrezikun e erës së keqe të gojës.

Higjienia e gojës

Higjiena personale eshtë shumë e rëndësishme sipas stomatologes Berati. Dhëmbët duhen larë të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe mbrëmje, pasi pas çdo vakti ushqyerje, ndoshta mund të mos jetë mundësia. Mirëpo edhe larja e dhëmbëve ka metodat e saj. Ky nuk është aspak një process i thjeshtë, në të cilin mjafton një apo dy minuta dhe mbaron. Së pari kujdesuni që të përzgjidhni furçën e duhur për dhëmbët tuaj, e cila të jetë jo vetëm rezistente, por edhe e plotë, pra e pajisur me pjesën e lëmuar në kurrizin e furçes, e cila shërben për të fërkuar edhe gjuhën e për të larguar papastërtitë.

Dhëmbët duhet t’i fërkojmë mirë, të paktën për tre apo katër minuta dhe pas larjes duhet të përdorim edhe fijë për dhëmbë, me qëllim që të heqim mbeturinat e mbetura ndërmjet dhëmbëve. Në fund, përdoret edhe shplarësi i gojës, i cili mund të jetë me përmbajtje acide për të zhdukur bakteret. Ky proces duhet të kryeht dy herë në ditë dhe është më se i domosdoshëm në të gjitha rastet.

Hapat, për të shmangur erën e keqe

Higjiena personale, për stomatologen Berati, është kushti primar dhe i domosdoshëm për të shmangur erën e gojës. Është një process të cilin gjithkush mund ta kryejë dhe që redukton në një përqindje të madhe, premisat për të vuajtur nga ky problem.

Vizitat te mjeku stomatolog, janë po ashtu të rëndësishme. Shpesh kujtohemi, vetëm atëherë kur në dhemb një dhëmballë a dhëmb, të shkojmë tek stomatologu, mirëpo kjo nuk është sjellja e duhur. Dhimbja lind atëherë kur gjendja shëndetësore e gojës sonë, ka shkuar në një pikë kritike, ndërkohë që për ta shmangur këtë degradim, na duhet me deomos të vizitohëmi, të paktën në një periodicitet një herë në gjashtë muaj të mjeku.

Përtypni sa më shumë çumçakiz të mundeni, gjithmonë nëse kjo gjë nuk ju shkakton problem me aciditetin e stomakut, sepse përtypja ndihmon muskujt e gojës të vihen në lëvizje, duke bërë që të prodhohet edhe më shumë pështymë.

Për erën e keqe të gojës duhet të pini sa më shumë ujë. Mundohuni që ujin ta shpërndani në formë gar-gare për të paktën 20 sekonda dhe më pas nxirreni atë jasht, kështu do të arrini një pastrim të pjesshëm të gojës.

Shmangni karamele mente apo larës të cilët përmbajnë alkool brenda. Në vend që të shërbejnë për të shmangur erën e gojës, ato e rrisin rrezikun prej saj, duke tharë gojën.

Përdorni sa më shumë zarzavate të freskëta. Kështu për shembull, nëse herë pas herë përtypni karrota, shmangni formimin e pllakave të kariesit.

One Comment »

  1. albino 2 Janar, 2014 at 13:43 -

    pershendetje,un kam nje problem eren e kam nga stomaku ,jo nga dhembet,ju lutem cfar mund te bej.flm.