Debati kombëtar, “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti” në garë për të përfaqësuar Durrësin

24 Shtator, 2012 0
Debati kombëtar, “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti” në garë për të përfaqësuar Durrësin

Në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e pavarësisë, javët e ardhshme do të organizohet edhe një konkurs kombëtar debati, ku do të marrin pjesë pesë qytete, që do të përfaqësohen nga një prej shkollave të tyre të mesme. Në garë për të përfaqësuar Durrësin janë Shkolla e Mesme e Përgjithme “Naim Frashëri” dhe Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Organizimi i këtij aktiviteti është iniciativë e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros, ndërkohë që ka marrë edhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Të premten, të rinjtë e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Naim Frashëri”, përmes një debati të organizuar mes tyre, zgjodhën skuadrën që do t’i përfaqësojë ata përballë Shkollës së Mesme e Përgjithshme “Gjergj Kastrioti Skëndebeu”. “Kufijtë e hapur” ishte tema që u përzgjodh me short, dhe po me short u caktua skuadra që do të mbronte kufijtë e hapur dhe skuadra që do t’i kundërshtonte ato. Nxënësit, brenda një kohe të caktuar, parashtronin si qëndrimet e veta, por edhe kundërshtitë për qëndrimet e skuadrës përballë. Në fund, fituese u shpall skuadra që mbronte kufijtë e hapur.

Organizimi i këtij aktiviteti ka nisur që në muajin shkurt, kur u caktuan shkollat e mesme të qyteteve Durrës, Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Korçë për të qenë pjesë e tij. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros vuri në dispozicion edhe bazën e nevojshme didaktike, ndërkohë që nxënësit që u përfshinë në këtë iniciativë u instruktuan nga mësues të përgatitur për këtë fushë. Marjana Leka, mësuese e filozofisë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Naim Frashëri”, tha se “ne kemi disa muaj që përgatitemi për këtë garë mes nesh që më pas të përfaqësojmë shkollën në konkurs.” Faza përmbyllëse do të jetë debati kombëtar mes qyteteve, ku do të shpallet edhe fituesi i këtij aktiviteti.

Pak për cilësinë e debatit…

Tema e përzgjedhur ishte pak “e madhe” për gjimnazistët. Kufijtë e hapur janë sot një realitet që diskutohet në sferat më të larta politike të botës dhe ende nuk ka marrë një përgjigje mbushamendëse. Nxënësit e të dyja skuadrave në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Naim Frashëri” nuk arritën të shpjegonin se çfarë ishin kufijtë e hapur, e pastaj të t’i mbronin apo t’i kundërshtonin ato.

Por, kjo nuk ishte aspak faji i tyre… Ata, siç duhet, për fat të keq, riprodhonin atë që kishin mësuar: mbronin apo kundërshtonin kufijtë e hapur me të mirat apo të këqijat që kishte sjellë ndërtimi i një muri në kufirin SHBA – Meksikë, duke harruar kufirin Shqipëri – Kosovë. Megjithatë, do të ishte shumë më mirë që nxënësit t’i vinin për të debatuar për çeshtje që ata i kuptojnë dhe që prekin interesat e tyre…

Leave A Response »