Biznesi i vogël – Taksat tek tatimet, lehtësohen proçedurat dhe shmangen abuzimet

29 Tetor, 2012 0
Biznesi i vogël – Taksat tek tatimet, lehtësohen proçedurat dhe shmangen abuzimet

Propozimi i ri i Ministrisë së Financave që mbledhjen e taksës së biznesit të vogël ta bëjë administrata tatimore qëndrore, e më pas t’i kalohet buxhetit të njësive vendore respektive, është pritur mirë si nga vetë biznesi i vogël, ashtu edhe nga njësitë e qeverisjes vendore. Ndonëse, pranë Bashkisë së Durrësit mësohet se “ky propozim është një kthim prapa nga kjo qeveri.” Ndërkohë, deputeti demokrat Igli Cara, që është edhe sekretari i komisionit të përhershëm kuvendor për ekonominë dhe financat, i cili do të shqyrtojë projekt-ligjin që do të mbështesë propozimin e Ministrisë së Financave, thotë se “proçedura e re, krahas përmirësimit të klimës për biznesin e vogël, do të shmangë abuzimet që vijnë nga njësitë vendore, të cilat vetë nxisin evazionin fiskal.” Për disa njësi më të vogla vendore, siç janë Komuna e Ishmit apo Bashkia e Manzës, propozimi ishte i nevojshëm për shkak të kapaciteteve të kufizuara që këto njësi kanë.

Cara: Lehtësohen proçedurat

Deputeti demokrat Igli Cara e sheh në dy plane ndikimin që do të ketë shndërrimi në ligj i këtij propozimi të Ministrisë së Financave. “Marrëdhënia me biznesin e vogël do të lehtësohet, pasi ata do të kenë mundësi t’i kryejnë në një sportel të gjitha detyrimet, – thotë Cara. – Aktualisht, nëse do të flasim konkretisht për Durrësin, biznesi i vogël raporton në mënyrë periodike pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore për pagesat që ata bëjnë si kontribute kundrejt Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Nga ana tjetër, administrata tatimore ushtron edhe kontrolle ndaj këtyre bizneseve si sa i përket këtyre pagesave, ashtu edhe për të tjerë elementë, si: regjistrimi i xhiros, deklarimi i shitjeve, etj. Dhe, kontrolleve të administratës tatimore u shtohen edhe raportimet dhe pagesat periodike pranë Bashkisë.”

Sipas Carës, propozimi që do ta marrë formën e një projekt-ligji pritet të zgjidhë pikërisht këtë “dyndje” tagrambledhësish pranë biznesit të vogël. “Propozimi i bërë parashikon që, përkundrejt një tarife prej 1 përqind të arkëtimeve, administrata tatimore do të shërbejë si agjent tatimor për mbledhjen e taksës së biznesit të vogël, e cila më pas do t’i kalohet buxhetit të bashkive apo komunave respektive, – thotë Cara. – Kjo do të lehtësojë barrën mbi biznesin pasi do t’i përqëndrojë të gjitha detyrimet në një sportel të vetëm.”

Ky propozim i Ministrisë së Financave është pritur pozitivisht edhe nga njësitë e vogla vendore që, për shkak të buxheteve të kufizuara, nuk i kanë kapacitetet për të vjelur në mënyrë efektive taksën e biznesit të vogël. Thuajse të njëjtin mendim dhanë drejtuesit e Bashkisë së Manzës dhe Komunës së Ishmit, që për shkak të shtrirjes së gjërë territoriale të njësive të tyre, nuk kanë mundësi të përballojnë me burime njerëzore dhe paga punën që duhet për të mbledhur taksat e biznesit të vogël.

Megjithatë, lehtësimin e proçedurave do ta ndjejë vetë biznesi i vogël, që mesa duket mezi e pret. “Jemi biznes i vogël, por punë me letra e nëpër zyra më duket se kemi më shumë se sa një biznes i madh, – thotë Fatmira, që administron një farmaci pranë Pallatit të Sportit. – Ne kemi punë tek tatimet, pasi na duhet të raportojmë xhiron, hyrje-daljet, pagesën e rrogave mujore, etj. Por, na duhet të shkojmë edhe në Bashki që të marrin listën me detyrimet vjetore, e më pas të shkojmë në bankë të paguajmë këstin e radhës, e përsëri të shkojmë në Bashki që të dorëzojmë mandatin e pagesës. Me pak fjalë, letra e ecejake pa fund. Ne për t’i paguar kemi këto taksa e detyrime të tjera dhe, nëse bëhet kështu siç dëgjuam, është shumë mirë, pasi i pagujmë të gjitha në një vend.”

Cara: Shmangen abuzimet dhe evazioni

Duke qëndruar në Durrës, deputeti demokrat Igli Cara thotë se “kjo do të shmangë abuzimet.” Në kuadër të proçesit të decentralizimit, të ardhurat nga biznesi i vogël, para disa vitesh, iu kaluan buxheteve vendore. Megjithatë, deri në ndërtimin e kapaciteteve  për mbledhjen e këtyre të ardhurave nga vetë njësitë vendore, për disa kohë ato u arkëtuan nga administrata tatimore dhe i kalonin buxheteve të bashkive e komunave. Por, sapo këto të taksa e biznesit të vogël nisi të mblidhej nga vetë njësitë vendore, niveli i arkëtimit ra, në një kohë kur numri i bizneseve dhe xhiroja e tyre rritej.

Ky është një fenomen që në Bashkinë e Durrësit përsëritet prej vitesh: realizimi i të ardhurave të parashikuar në buxhet nuk realizohet më tepër se 70 përqind. Këtë vit duket se gjendja është edhe më e keqe. “Deri tani, Bashkia e Durrësit mezi ka arkëtuar gjysmën e të ardhurave që kishte parashikuar,” – thotë Cara. Në këtë mënyrë, duket se në këtë nivel kaq të ulët arkëtimi të taksave dhe tarifave ka “dorë” edhe vetë administrata e Bashkisë së Durrësit me sjelljet abuzive të saj.

Teksa thekson faktin se taksa e biznesit të vogël është mbajtur në nivelet më të ulëta të mundshme, Cara shton se “ajo duhet paguar nga të gjithë me qëllim që të shmanget konkurenca e pandershme në treg.” “Taksa e biznesit të vogël është shumë e ulët, e barabartë me vetëm 1,5 përqind të xhiros dhe duke ia ngarkuar arkëtimin e saj administratës tatimore do të bëhet e mundur që të gjithë ta paguajnë atë dhe të gjithë bizneset do të jenë të barabartë si para ligjit, ashtu edhe mes njëri-tjetrit,” – shton Cara.

Pak si me ironi, Cara thotë se “kjo do të zgjidhë edhe problemin e Bashkisë së Durrësit për mungesën e fondeve.” “Në njëfarë mënyre, qeveria po i bën nder Bashkisë së Durrësit duke ia mbledhur të ardhurat, – thotë deputeti demokrat. – Duke shmangur abuzimet e vetë Bashkisë, qeveria do t’i shtojë asaj të ardhurat.”

Bashkia e Durrësit, Çela: Propozimi është kthim prapa

Për Bashkinë e Durrësit, propozimi i bërë nga Ministria e Financave është një kthim prapa në kohën kur taksën e biznesit të vogël e mblidhte vetë qeveria, përmes administratës së saj tatimore, por edhe pranohet në kushtet kur nuk i ka të gjitha kompetencat që ka administrata tatimore. “E vertëta është se ne jemi njohur më parë me studimin e kryer nga Ministria e Financave për këtë qëllim, ndonëse ende nuk kemi parë draftin e ligjit që mund të jetë hartuar, – thotë Adrian Çela, nënkryetari i Bashkisë së Durrësit. – Parimisht, është kthim prapa, pasi ka qenë kjo qeveri që disa vite më parë e mblidhte vetë taksën e biznesit të vogël.”

Sa i përket efiçencës së Bashkisë së Durrësit për mbledhjen e taksës së biznesit të vogël, Çela thotë se “decentralizmi, krahas përgjegjësive, duhet të shoqërohet edhe me të drejta.” “Sa i përket mbledhjes së taksës së biznesit të vogël, ne vetëm kemi të drejtë t’i njoftojmë subjektet, por nuk mund t’i penalizojmë, – thotë Çela. – Ne nuk kemi as kapacitetet njerëzore, pasi me 15 punonjës të Policisë Bashkiake nuk mund të bëhet dot kjo punë, por nuk kemi as të drejtën ligjore. Drejtoria Rajonale e Tatimeve është organi që ka të drejtë të bllokojë, sekuestrojë apo edhe mbyllë një subjekt biznesi që nuk shlyen detyrimet.”

Në këto kushte, ndonëse Bashkia e Durrësit është pro decentralizimit dhe kërkon decentralizim funksional, pranon se nëse propozimi i Ministrave së Financave kthehet në ligj, ai do të zbatohet.

Durrës, paradoksi Bashki – Tatime

Do të jetë nisma e re e Minsitrisë së Financave ajo që do të “zgjidhë” edhe paradoksin që ndodh në Durrës: Drejtoria Rajonale Tatimore raporton shtim të numrit të bizneseve të vogla, shtim të të punësuarve, tejkalim të realizimit të të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ndërsa Bashkia e Durrësit nuk realizon mbledhjen e taksës së biznesit të vogël. Pavarësisht mungesës së kapaciteteve, apo edhe dashjes, Bashkia e Durrësit, vitin e ardhëm, do të vihet para faktit kur të shohë të ardhurat që i kalojnë në buxhet e vet.

Zv/ministri i financave Rushaj: Propozimi i ri optimizon mbledhjen e të ardhurave dhe lehtëson proçedurat për biznesi e vogël

(marrë me shkurtime nga ABC News)

Pse Ministria e Financave ka dalë me këtë vendim ose propozim që mbledhja e taksave të bisnesit të vogël të kryhet nga organet tatimore dhe më pas shuma e arkëtuar t’i kalohet bashkive dhe komunave? Pra, pse propozohet që mbledhja e kësaj takse t’i hiqet organeve të pushtetit vendor?

Vendimi i Ministrisë së Financave për një propozim të tillë, që do të prezantohet në formën e një ligji për t’u miratuar më pas, erdhi pas një studimi të kryer në këtë fushë. Përfundimi ishte që njësitë e qeverisjes vendore duhet të përqëndrojnë kapacitet e tyre për të arkëtuar disa kategori taksash e tarifash, që janë me të vërtetë taksa e tarifa vendore dhe që duhet të formojnë bazën e të ardhurave vendore, si: taksa mbi pasurinë, taksa mbi ndryshimin e pronësisë mbi pasurinë, taksa e tabelës identifikuese dhe reklamuese, taksa e zënies së hapësirave publike, taksa e fjetjes në hotele, tarifa e pastrimit, etj. Ndërkohë, ajo që ndodh është se organet e pushtetit vendor përqëndrohen në mbledhjen e taksës së biznesit të vogël. Por, pranë biznesit të vogël përqëndrohet edhe administrata tatimore, për shkak të arkëtimit të kontributeve ndaj sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Nga njëra anë kjo sjell përqëndrimin e punës së dy administratave të ndryshme në të njëjtin vend, ndërkohë që shton, në mënyrë të panevojshme, edhe kontrollet ndaj biznesit që vogël. Në këtë kuptim, do të ishte shumë më mirë, si për biznesin e vogël, ashtu edhe për dy kategoritë e administratave që të optimizonin punën dhe kapacitetet e tyre në drejtime të pavarura: administrata tatimore të mund të zgjerojë rolin e vet në marrëdhëniet me biznesin e vogël, duke përfshirë edhe mbledhjen e taksës, ndërkohë që administrata vendore të përqëndrohet në mbledhjen e taksave të tjera, që janë plotësisht kompetencë e saj.

Cila ka qenë përgjigja e njësive të qeverisjes vendore përkundrejt këtij vendimi të Ministrisë së Financave?

Në fakt, gjatë kohës që kryenim studimin, ne jemi konsultuar me njësitë e qeverisjes vendore, si edhe me partnerët ndërkombëtare që asistojnë në modernizimin e administratës tatimore, në nivel qëndror e vendor. Në të njëjtën kohë, jemi konsultuar edhe me biznesin, dhe propozimi ynë është pritur në mënyrë pozitive.

Ndërkohë, kohët e fundit, biznesi i vogël është bërë edhe objekt i diskutimeve politike. Opozita ka shprehur qëndrimin e vet që të heqë taksën e biznesit të vogël. Si e shihni këtë zhvillim?

Në të vërtetë, duhet të shohim me kujdes atë që ka propozuar kryesocialisti Edi Rama. Taksa e biznesit të vogël përfaqëson 1,5 përqind të xhiros që ai biznes realizon, që është përllogaritur të jetë e përafërt me 10 përqind të fitimit, aq sa ç’është edhe niveli i tatimit mbi fitimin që çdo biznes tjetër apo çdo njëri prej nesh paguan. Z. Rama thotë që ta heqim taksën e biznesit të vogël, por kurrë nuk ka thënë që të heqim tatimin mbi fitimin. Me fjalë të tjera, ajo që thotë ai është që të hiqet taksa e biznesit të vogël, që sot e mbledhin bashkitë e komunat, dhe biznesi i vogël të paguajë tatimin mbi fitimin tek administrata tatimore qëndrore. Nga ana tjetër, e vërteta është se, disa vite më parë, administrata qëndrore ishte në gjendje të mblidhte dhe t’i kalonte Bashkisë së Tiranës më shumë të ardhura nga biznesi i vogël se sa ç’mblidhte më pas vetë kjo bashki gjatë kohës që drejtohej nga z. Rama.

Si është gjendja e biznesit të vogël në vend sa i përket të ardhurave që ato i japin bashkive dhe komunave, por edhe në drejtim të krijimit të vendeve të punës?

Kjo është një çeshtje shumë komplekse, por fakti është se numri i bizneseve të vogla në të gjithë vendin është shtuar nga viti në vit dhe nga tremujori në tremujor. Po ashtu, nga viti në vit është shtuar edhe xhiroja e tyre. Kjo tregon se biznesi i vogël ka performancë të mirë e të qëndrueshme. Ne nuk mund të mohojmë ndikimin që kriza në Evropë, e veçanërisht në Itali e Greqi, ka mbi biznesin vendas. Por, masat e marra në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë që biznesi të jetë i shëndetshëm. Masat jo domosdoshmërisht duhet të jenë gjithnjë të natyrës së lehtësirave fiskale, pasi edhe lehtësirat në proçedura janë një ndikim i fuqishëm në përmirësimin e klimës së biznesit.

Leave A Response »