Andropauza, ose menopauza e meshkujve

Alda Dalushi 29 Tetor, 2012 0
Andropauza, ose menopauza e meshkujve

Si të njohim dhe përballojmë fazën e ndjeshme të meshkujve në meso-moshë

Ashtu sikurse femrat, edhe meshkujt kanë problemet e tyre, të lidhura ngushtësisht me moshën dhe për rrjedhojë të këtij fakti, edhe uljen e ndjeshme të prodhimit të hormoneve, çka sjell shqetesime të ndryshme. Ajo qe tek femrat quhet menopauzë, tek meshkuj është cilësuar si andropauzë dhe me ndryshime të vogla, ka thuajse të njejtat efekte në gjendjen psiko-sociale dhe shëndetësore të individëve.

Andropauza fillon , atëherë kur fillon edhe ulja e ndjeshme e nivelit të testosteronit tek meshkujt. Hormone i cili është përgjegjës për një sërë karakteristikash tipike mashkullore si zëri i trash dhe i thellë, masën muskulore, apo edhe pjesët e mbuluara me qime në trupin e një mashkulli, ulet me kalimin e viteve. Kjo është pjesë e proçesit të rritjes së moshës dhe sipas shumë studimeve, pas të tridhjetave, niveli i testosteronit, bie me 10 %, pas çdo dhjetëvjeçari që kalon.

Në këtë mënyrë, andropauza e meshkujve, është më e ngadaltë se menopauza e femrave, të cilat, rreth moshës 50 vjeçare, rreth 80 % e tyre, kanë hyrë në këtë fazë.

Eksperienca të tilla, ndonëse shumë shokuese për meshkujt, cilësohen sot, si fenomenet shëndetësore më të shpeshta, në radhët e meshkujve 45-50 vjeçarë, duke ndryshuar tërësisht mënyrën e tyre të jetesës, veçanërisht aktivitetin seksual, gjendjen psiko-sociale dhe mënyrën e të ushqyerit.

Ashtu sikurse femrat, edhe meshkujt në andropauzë, apo gjatë kalimit të moshës dhe shkuarjes drejt kësaj faze, mund të ndeshen me një sërë problemesh të tjera shëndetësore, si pasojë e ndryshimit të organizmit dhe pakësimit të testosteronit. Një prej këtyre ndryshimeve, është edhe ulja e aftësisë roprodhuese, edhe pse te meshkujt, ky është një proces i cili zgjat më shumë se te femrat. Të tjera rreziqe janë të lidhura me sëmundje si osteoporoza, të cilat nëse nuk kurohen në mënyrën e duhur, në fazat e para të shfaqjes, mund të sjellin dëmtime serioze.

Jo vetëm rënia e nivelit të testosteronit, por edhe prodhimi në masë i një hormone tjetër, i cili e nxjerr të pavlefshëm testosteronin në gjak, janë ndër faktorët kryesorë të andropauzës, e cila bëhet e pranishme, me kalimin e viteve. Ky hormon i quajtur hormoni i frenimit të globulinës, e bën të pavlefshëm testosteronin në gjak.

Si diagnostikohet

Mjekët përgjithësisht e diagnostikojnë andropauzën duke u nisur nga mosha e personit dhe gjendja e tij psiko-fizike. Përmes kësaj, kuptohen simptomat të cilat janë të njejta me ato të njerëzve me nivel të ulët testosteroni në gjak. Më pas, për të vërtetuar këtë nivel, kryeht matja e këtij hormoni dhe pranisë së tij në gjakun e individit mashkull.

Një sërë simptomash karakteristike për andropauzën, janë të njejta me ato të një njeriu të cilit i kalojnë vitet dhe shkon drejt plakjes, ndaj është e rëndësishme të kuptohet në është një gjendje andropauzë, për të marrë më pas edhe trajtimin e duhur.

Zëvendësimi i testosteronit në gjak, pra masës së humbur, është ehde praktika më e shpeshtë që bëhet, për të mbajtur nën kontroll nivelin e këtij hormoni, me qëllim që të mos dalin probleme më pas. Kjo sasi hormonale merret përmes terapive të ndryshme të këshilluara nga mjeku dhe ka një sërë formash marrjeje, si kapsula, përmes injektimit, xhelit i cili aplikohet zakonisht te krahët,  preparateve të ndryshme e të tjera.

Trajtimin me sasi suplementare të testosteronit, nuk duhet ta kryejnë në asnjë mënyrë meshkujt të cilët kanë rrezikun e zhvillimit të kancerit në prostatë, apo edhe në gjoks, sepse siç dihet edhe meshkujt mund të formojnë kancer gjiri. Po kështu, terapia me testosterone, është e ndaluar edhe për njerëzit të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme të zemrës, veshkave apo mëlçisë. Nëse të gjitha këto, një individ i moshës 40-50 vjeçare, i di që i ka, atëherë para se të nisë terapinë, duhet ptjetër të konsultohet me mjekun.

Simptomat e andropauzës

Ashtu si menopauza e femrave, edhe meshkujt thuajse përballen me të njejtat simptoma, të cilat ndryshojnë mënyrën e jetesës së tyre. Ndonëse simptomat mund të ndryshojnë nga një person tek tjetri, sërish një grup i përbashkët simptomash, mund të përmblidhen në këtë mënyrë:

Meshkujt në fazën e andropauzës, karakterizohen nga dëshira për një jetë seksuale të qetë, madje të vakët, e cila shoqërohet edhe me gjendje pasigurie, sa i përket potencialit seksual dhe aftësisë së kryerjes së marrëdhënieve. Bashkë me këtë vijnë edhe të gjitha problemet e tjera, gjatë aktit.

Gjatë andropauzës, gjendjet e lodhura, apatike dhë mungesa e dëshirës për të bërë një jetë shumë active, janë disa nga simptomat e tjera shumë të zakonshme. Mund të ndodhë edhe që andropauza të vijë me gjendjen e depresionit, rënien nga pasha, apo transformimin e trupit si pasojë e kileve të tepruara.

Të tjera problem shëndetësorë, të cilat shfaqen gjatë fazës së andropauzës, kanë të bëjnë me rritjen e rrezikut për t’u prekur nga prostate, kanceri i zorrës së trashë, apo sëmundjet kardiovaskulare. Të gjitha këto, vijnë si pasojë e ndryshimit të  organizmit si pasojë e ndryshimit të nivelit të testosteronit në gjak, por edhe si pasojë e ndryshimit të stilit të jetesës.

Osteoporoza, apo degjenerimi i masës kockore në organizëm, është nje tjetër patologji e cila rritet  me kalimin e  moshës dhe ka tendencë të shfaqet gjatë fazës së andropauzës.

Terapia mjekësore dhe mbështetja morale, për ta përballuar

Për të minimizuar efektet negative të rënies së testosteronit e për pasojë andropauzës, vlen të theksohet rëndësia që ka adaptimi i një forme tjetër të jetës, duke u përshtatur me kushtet e reja të organizmit. Një jetë e shëndetshme, me ushtrime, shëtitje, ushqim  i kontrolluar, dhe pa strese, mund të ndihmojnë në përballimin e efektshëm të pasojave të andropauzës.

Ushqimet me yndyrna, alkooli dhe duhani, duhen eleminuar, pasi ashtu sikurse tek femrat, pas moshës 40 vjeçare, këto përbërës paraqiten me rrezikshmëri të lartë për shëndetin.

Ushqimet me përmbajtje zinku, janë vërtetuar të kenë efekte shumë të mira gjatë kësaj periudhe, edhe pse momentin dhe sasinë e përdorimit të tyre e vendos vetëm mjeku. Kujdes duhet treguar edhe në aspektin seksual të jetës, pasi kjo është faza gjatë së cilës, dshira seksuale bie ndjeshëm , e po ashtu edhe mundësia për të kryer marrëdhënie. Përpos të gjitha simptomave të tjera si depresioni, jeta sociale e vakët, duket se ndryshimi i raporteve seksuale, është ajo çka shqetëson më shumë meshkujt dhe egon e tyre. Mbështetja morale e partnerit, familjarëve dhe miqve, krahas terapive mjekësore, mund të jenë më se të vlefshme për të përballuar andropauzën.

Lini një koment »