Aishe Stari, legjenda e gjallë e Estradës së Durrësit

Alda Dalushi 5 Janar, 2013 1
Aishe Stari, legjenda e gjallë e Estradës së Durrësit

Është po aq e bukur, po aq e qeshur, po aq e gjallë, sa në fillimet e saj. Ndonëse kanë kaluar mbi 50 vjet, që nga ngjitja e parë në skenë, Aishe Stari mbështillet me po të njejtën hijeshi, si herën e parë, kur  të gjithë u mrekulluan nga zëri dhe performanca e saj, gjatë prezantimit të premierës së një shfaqjeje të regjisorit Vlashi.

“Kam lindur në Durrës, në 21 maj. Në muajin e bukur të luleve, Durrësit ju shtua edhe një tjetër lule “, thotë dhe qesh. Humori nuk i mungon.

Lindi në një familje ulqinake, babai i saj ka qenë detar, nëna, shtëpiake.

Kur flet për fëmijërinë, ajo duket që ka kaluar një fëmijëri të qetë dhe të lumtur. Ndonëse pamja e saj të bënte të mendoje që mund të ishte fëmijë i qetë dhe i urtë, në fakt Aishja tregon që kjo pamje e saj. Binte në kundërshtim me karakterin e saj çapkën. “Dukesha e qetë, por në vetvete kam qenë si një vullkan që vlon.”

Pasioni për aktrimin? Ka qenë brenda saj ngahera, që në foshnjore thotë ajo për të treguar periudhën e kopështit. Pastaj në vitet e shkollës, ajo tregon se ka qenë e prirur për shumë gjëra : “Më pëlqente të kërceja, gjimnastikën e kisha qejf, recitoja, këndoja, isha e prirur ndaj artit.”

Gjatë periudhës së gjimnazit ajo e shprehte shpesh se ëndërronte të bëhej aktore, mirëpo kur ajo përfundoi shkollën e mesme, një degë e tillë, ende nuk ishte hapur, kështu që vazhdoi studimet për biokimi. Pas një viti, në 1959, ajo shkëputet për t’u rregjistruar në shkollën e aktrimit, duke qenë kështu ndër të parët aktore me një formim akademik professional. Pas mbarimit të shkollës emërohet në Teatrin e Durrësit, për të kaluar më pas në estradë.

Tërhoqi menjëherë vëmendjen, jo vetëm sepse ishte ndër të parat aktore që vinin nga një shkollë e mirfilltë e aktrimit, por edhe prej paraqitjes së saj dhe karakterit. E gjatë, e hijshme, më sytë që i shkëlqenin dhe gjithnjë gazmore, Aishe Stari tregon se gjeti një ambjent të ngrohtë e miqësor në trupën e teatrit të Durrësit, ndonëse ishte e re.

Rolet

Përballja e parë me publikun ishte gjatë prezantimit të një premiere, të cilën ja propozoi regjisori Gjergj Vlashi, kurse roli i parë, ishte interpretimi në një pjesë teatrale, tek e cila kishte interpretuar më parë edhe për të mbrojtur diplomën.

“Estrada ka shumë role, sepse vetëm në nëj numër estrade, një actor mund të interpretojë shumë karaktere. Kam punuar me shumë kënaqësi dhe kurrë nuk e kam parë punën si lodhje apo diçka të detyrueshme për ta bërë. Në ato vite, Estrada e Durrësit ishte një nga estradat që punonte më shumë, por edhe kishte mbështetje shumë të madhe tek publiku. Kjo bënte që aktorët të impënjoheshin për të ardhur para publikut në formën e tyre më të  mirë”, thotë aktorja.

Rolet  janë të pafundëm,as vetë ajo nuk e di sa të tillë ka interpretuar, ndoshta katërqind, apo pesëqind, kjo për vetë faktin se estrada të impenjon me disa role njëherësh brenda një shfaqjeje. “Të gjithë janë shumë të dashur, nuk i ndaj dot, është njësoj si të thuash, cili nga gishtat e dorës dhemb më shumë po të pritet. Estrada e formon aktorin, pikërisht për këtë shumllojshmëri rolesh që i cakton të luajë.”

“Dramë, komedi, estradë, aktori është aktor”,thotë Artistja e Merituar, “për mendimin tim nuk ka actor të dramës, apo aktorë të veçantë për estradën, aktori i mirë di të interpretojë kudo. Madje mund t’ju duket e habitshme, por unë mendoj se edhe komedia, apo rolet e estradës duhen luajtur më seriozitët të madh, naga ana interpretative. Nëse aktori niset me mendjen se unë do dalë në skenë për të bërë gallatë, aty ka dështuar. Edhe ai personazhi komik, ka një mesazh për të përcjellë, të jeni të sigurtë që nuk janë pjesë boshe, thjesht për të qeshur, kështu që sa më me seriozitet t’i përkushtohesh edhe këtyre roleve, aq më të dobishëm dhe të bukur e bën humorin. Në fund të fundit, këta janë edhe rolet që mbeten gjatë në kujtesën e publikut dhe nuk harrohen sapo hedh këmbën jashtë teatrit.”

 

Roli, i cili nga më pak i pëlqyeri, u kthye ndër më të preferuarit

“Një rol që nuk kam dashur ta bëj ka qenë një rol nga poema “Pleshti” e Dritëro Agollit. Kam bërë çmos që atë pjesë  të mos e luaja, pasi më dukej shumë i vështirë dhe jam munduar në atë kohë t’i mbushja mendjen regjisorit Vlashi që ajo ishte një pjesë me ngjyrime rracore, që ishte diskriminuese dhe që nuk kishte se çfarë të përcillte, përveç se mesazhe negative. Mirëpo përpjektjet e mia nuk patën rezultat.  Kishim mbetur edhe dhjetë ditë nga premiera e shfaqjes. Atëherë kur e kuptova që ajo pjesë do të vihej në skenë, me apo pa pëlqimin tim, vendosa të mbyllesha në dhomë, të merrja poemën përpara dhe fillova të zbërtheja çdo rol, çdo mesazh që përcillej madje edhe të interpretoja me veten time secilin prej roleve. Në fund ndihesha e lodhur, megjithatë kuptova diçka. Mund të ketë role të cilat në pamje të parë mund të duken të parandësishëm, megjithatë forcën e tyre e marrin atëherë kur interpretohen nga aktori, pra është ky i fundit i cili i jep jetë jo vetëm rolit, por edhe e mbush atë me kuptimësi dhe e bën mesazhin të përcjellshëm për publikun. Me rolin në pjesën “Pleshti”, në takimin sezonal të estradave që bëhej në Peshkopi, unë mora edhe Medalje Ari.

Kolegët

Aishe Stari është ndër të fundit aktorë dhe artistë të brezit që ngritën në piedestalin më të lartë Teatrin e Estradës së Durrësit. Një pjesë e kujtimeve të saj të vyera kanë të bëjnë pikërisht me kolegët, më ata të cilët ajo ndau skenën për sa e sa vjet, krah të cilëve i dhuroi publikut durrsak dhe jo vetëm, të qeshura dhe emocione pafund.

“Mbi të gjitha kemi qenë shumë miq të mirë, përveç se kemi punuar me shumë përkushtim bashkë. Humori nuk na ka munguar kurrë, madje më shumë humor kemi bërë në tavolinë, në biseda  miqësore se san ë skenë. I kujtoj kolegët e mi mbi të gjitha si njerëz shumë të mirë, kujdeseshim për njëri tjetri sit ë ishim një familje e madhe. Unë nga natyra kam qenë edhe pak delicate, sëmuresha shpesh me alergjitë e stinëve apo rrufat dhe shihja një përkushtim të madh nga ana e tyre. Marrëdhëniet shumë të mira të aktorëve me njëri-tjetrin na kanë shquar gjithmonë edhe me estradat e tjera. Ka qenë meritë edhe e regjisorit Vlashi, pasi ka punuar dhe ka menduar njësoj për të gjithë ne. Kam shumë nostalgji për atë periudhë, për marrëdhëniet e mira që kemi pasur, për punën që kemi bërë. Tani mund të them me keqardhje se sot nuk punohet aq shumë , jo vetëm në estradën e Durrësit, por në asnjë estradë tjetër të vendit. Ndihem keq kur dëgjoj të thonë që estradë dhe humor ka pasur vetëm në periudhën kur kemi qenë ne, pra brezi im dhe i aktorëve kolegë të mitë”, thotë artistja.

Ajo ka menduar gjithmonë se pas ardhjes së demokracisë, edhe humori do të bëhej më cilësor, për vetë faktin se në atë periudhë, sikurse çdo gjë, edhe kjo pjesë kontrollohej. Megjithatë kjo nuk ndodhi të ishte një pritshmëri e realizueshme, pasi sipas aktores, humori jo vetëm që nuk u bë më cilësor, por madje degradoi në banalitet dhe vulgaritet, për të ardhur në pikën kur rrezikon të humbasë.

“Nga se vjen kjo? Mendoj se nga mungesa e punës dhe dëshirës për të sjellë vlera edhe përmes humorit. Ose më saktë, ata të cilët marrin përsipër të bëjnë humor sot, kanë idenë e gabuar se duke përdorur banalitete, njerëzit do të qeshin. Në fakt edhe mund të qeshet për momentin, por a do të mbeten këto në kujtesën e publikut, ashtu sikurse kanë mbetur sa e sa batuta të estradës sonë? Nuk e besoj. Humori sot është pa vlera! Ku fillon banaliteti, ka mbaruar arti!”

E duke thënë kështu, ajo kujton kohën kur sëbashku me emrat e mëdhenj të estradës durrsake, kolegët e ndjerë Ramazan Njala, Spiro Strati etj., dhuronin sa e sa buzëqeshje dhe merrnin jo vetëm kënaqësinë e duartokitjeve të ngrohta e të sinqerta, or edhe sa e sa urime dhe falenderime.

“Është një ndër emocionet më të bukura që mund të përjetojë një artist, kur sheh buzëqeshje tek publiku i tij dhe kur kutpon se interpretimi i tij, vërtetë ka arritur të ndikojë për mirë tek spektatori. Fatmirësisht  i kam provuar shpesh të tilla emocione dhe jam krenare, kur sot në rrugë, marr ende vlerësime.”

Artistja, që nuk heq dorë kurrë

Për të, duket se koha nuk ka kaluar dhe nuk do të kalojë kurrë. Të palodhur, e sheh rrugëve të qytetit me libra ndër duar. Është angazhimi i saj i ngahershëm, por njëkohësisht edhe i fundit.

“Këto kohë jam duke përgatitur shfaqje për fëmijët e shkollave dhe kopshteve. Mundohem që t’ju përcjell atyre jo vetëm humorin e vërtetë, por përmes tij, të kuptojnë mesazhe të rëndësishme që t’ju vlejnë. Jam duke punuar me shumë botime dhe përkthime të librave të huaj në shqip. Nuk ndihem e lodhur, përkundrazi, ndihem shumë e gjallë dhe më vjen mirë që ende kam fuqi të bëj diçka për vogëlushët. Mendoj se nuk duhet të infektohen nga banaliteti dhe vulgariteti i humorit që përcillet shpesh sot.”

E qeshur dhe me sytë që ende nuk e kanë humbur shkëlqimin, artistja është nga ata njerëz të cilët, dijnë të të bëjnë si të buzëqeshësh, jo më kot, është ndoshta ndër të fundit ikona të aktorëve që e bëjnë këtë gjë natyrshëm dhe bukur.

Zonja e bukur, e cila sot të imponon respekt, jo vetëm për vlerat që përcjell, apo faktin e të qenit një shkollë e artit, mbetet mbi të gjitha legjenda e gjallë e një krenarie të dikurshme, si i vetmi kujtim ndoshta nga koha kur të shihje humor, do të thoshte të qeshje me shpirt. Ajo, ia ka dhuruar këtë publikut të saj.

One Comment »

  1. vela rama 19 Janar, 2013 at 13:36 -

    pershendetje Artistja me e madhe Shqipetare . Jemi nje familje nga Kosova ; Bajram dhe Mimoza Rama .Neve te njohim edhe ateher kur per ne ishe e pa njohur ne skenen Shqipetare. Ishte viti 1994 kur ne per here te pare vizituam Shqiperin dhe njeriu i pare qe njohtem ishit ju pikerishte : Fehmi Agolli dhe Aishe Stari .Tek me vone kuptuam se kush ishin keta njerez.Me shprese se jemi akoma te forte nga ana fizike (sepse e dime qe tani jeni te shtyre ne moshe ) ne ju pershendesim dhe ju perqafojme shume nga Zvicra e larget