20 shkurt 1991 – Dita kur shqiptarët vranë frikën dhe u ndanë nga komunizmi

21 Shkurt, 2013 3
20 shkurt 1991 – Dita kur shqiptarët vranë frikën dhe u ndanë nga komunizmi

 

20 shkurti i këtij viti nuk i ngjan aspak 20 shkurtit të vitit 1991, por sot jetojmë lirinë dhe demokracinë pikërisht prej guximit që njerëzit patën atë ditë për të vrarë frikën, prej guximit që treguan se rruga drejt demokracisë nuk kishte më kthim prapa. Pluralizmi politik ishte tashmë fituar, ashtu siç ishin themeluar edhe partitë e para politike, por komunizmi qëndronte ende në këmbë. Madje, ishte duke dhënë edhe shenja force: në disa zona të vendit nisën të organizohen të ashtuquajturit ‘vullnetarët e Enverit’, ndërkohë që kaloi edhe një ligj për mbrotjen e monumenteve të historisë kombëtare, i cili, fare qartë, kishte si qëllim mbrojtjen e busteve të diktatorit komunist Enver Hoxha.

Përpjekja për liri e demokraci kishte filluar, por ajo duhej çuar deri në fund: komunizmi duhej rrëzuar njëherë e mirë.

Në fakt, si në përvjetorin e këtij viti, edhe 20 shkurti i vitit 1991 ishte ditë e mërkurë. Igli Cara, në atë kohë student dhe pjesëmarrës në grevën e urisë së studentëve e sot deputet dhe kryetar i degës së Partisë Demokratike në Durrës, thotë se “ajo do të mbetet një ditë e paharruar.”

18 shkurt 1991 – Nis greva e urisë së studentëve

Më 18 shkurt 1991, 723 studentë të Universitetit të Tiranës, që në atë kohë mbante emrin e diktatorit Enver Hoxha, hynë në grevë urie pikërisht për heqjen e atij emri. Atë ditë Qyteti “Studenti” u shndërrua në vendin ku mishëroheshin ëndrrat dhe dëshirat e popullit të tërë.

Mes tyre kishte edhe studentë durrsakë, ishin edhe Eduard Ndreu, Edmond Islami, Mimoza Zhamo, Igli Cara, Gazmend Oketa, etj. Në një mënyrë, për disa prej tyre, greva shënoi edhe përfshirjen e tyre në politikë, ndërkohë që disa të tjerë jeta i çoi në tjera drejtime. Studentët hynë në një prej godina të Qytetit “Studenti”, ndërkohë që jashtë ishin kishin nisur të vinin e të mblidheshin njerëzit. “Kishte edhe shumë nga Durrësi, – kujton Igli Cara. – Aty erdhën familjarë tanë, miq e shokë, por edhe shumë të tjerë. Në të vërtetë, kishte njerëz nga i gjithë vendi.”

Dy ditë më pas, më 20 shkurt, nisi punimet Pleniumi XV i KQ të Partisë së Punës dhe, për të treguar pikërisht atë çfarë ziente në popull, për t’u përballur me sjelljen e pushtetit komunist që vazhdonte sikur të mos kishte ndodhur gjë, krejt papritur të gjithë njerëzit që ishin në sheshet dhe rrugicat e Qytetit “Studenti” u drejtuan kah Sheshi “Skënderbej”. Studentët e ngujuar dhe njerëzit që iu turrën bustit të diktatorit për ta rrëzuar ishin tamam si dy pjesë të të njëjtit trup e që drejtoheshin nga i njëjti shpirt.

Ajo që studentët grevistë dëgjuan nga brenda ishte vetëm një thirrje: “Te sheshi”. Ishte Rajmonda Bulku ajo që lëshoi një thirrje të tillë. Brenda pak minutash, Qyteti “Stundeti” u zbraz. Studentët që ishin në grevë në atë ditë kujtojnë se nuk mbetën më shumë se 100 vetë. Përveç kësaj, studentët i kaploi edhe një lloj ankthi: nuk dinin se çfarë ishte duke ndodhur jashtë mureve të godinës ku ata ishin ngujuar.

Gjithsesi, ankthi nuk zgjati shumë dhe vendin e tij e zuri gëzimi. Ajo që studentët kishin nisur ishte çuar deri në fund nga i gjithë populli. Busti i diktatorit Enver Hoxha ishte rrëzuar e ishte tërhequr zvarrë, ndërkohë që të parët u lajmëruan studentët. Tani thirrjet ishin “E hodhëm”, tamam sikur u thonin studentëve se e kishin plotësuar dëtyrën e tyre.

20 shkurt 1991 – Komunizmi ra, njëherë e përgjithmonë

20 shkurti i vitit 1991 ishte dita e fitores për studentët, por jo vetëm. Ajo ishte dita e fitores së gjithë shqiptarëve. Që atë natë, në ekranin e televizionit shtetëror u lajmërua se Universiteti i Tiranës nuk do të mbante më emrin e diktatorit, ashtu siç u lajmërua edhe krijimi i këshillit presidencial dhe ndarja e Partisë së Punës nga strukturat e shtetit. Të nesërmen, më 21 shkurt, edhe qeveria e kryesuar nga Adil Çarçani dha dorëheqjen.

Komunizmi kishte rënë … e hodhën 723 studentët nga i gjithë vendi që u ngujuan në grevë urie bashkë me dhjetra mijëra njerëz nga i gjithë vendi që kishin ardhur në Tiranë për t’i mbështetur. I mbështetën e i morën edhe në shtëpitë e tyre. Natën e 20 shkurtit studentët e kanë kaluar nëpër shtëpitë e familjeve tiranase … një natë ajo e paharruar për ata.

Greva e studentëve u mbyll më 20 shkurt, e kishte realizuar qëllimin e madh, kishte futur Shqipërinë në një epokë të re zhvillimi … por frika ende ekzistonte. Pak a shumë, greva zgjati 55 orë, por ishin 55 orë vendimtare, të cilat ishin themeli i demokracisë së re në vend. Si me magji, kudo në qytetet e vendit nisën protestat. Edhe Durrësi nuk mund të bënte përjashtim. Busti i diktatorit Enver Hoxha, emrin e të cilit mbante porti detar, u rrëzua, siç u rrëzua edhe busti i Stalinit. Në krye të protestës popullore antikomunistë ishin pikërisht themeluesit e Partisë Demokratike, pikërsisht ata që i dhanë jetë forcës së parë politike në Shqipërinë paskomuniste.

3 Comments »

  1. durrsi 21 Shkurt, 2013 at 19:16 -

    Po ti na thuaj ndonje gje se cndodhi ne Durres. Ndofta nuk ke qene i pranishem ate dite. Do te ishte mire te na fliste ndonje qe e ka jetuar ate ngjarje.

  2. durrsi 22 Shkurt, 2013 at 19:24 -

    Ne mos gabohem 20 shkurt 1991 ka qene dite e hene dhe jo e merkure.

  3. Fatmir Behluli 23 Shkurt, 2013 at 20:43 -

    Te arrish demokracine, ishte dicka e veshtire, por me e veshtire po behet ta ndertosh ate.
    THEMELUESI i PD